The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesStoneland, Rock city, Al-Hijr valley [Al-Hijr] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah Stoneland, Rock city, Al-Hijr valley [Al-Hijr] Ayah 99 Location Maccah Number 15
Elif, lam, ra.[80] Këto janë ajetet e Librit, Kuranit të qartë!
Ata që nuk besojnë do të dëshirojnë që të kishin qenë muslimanë.
Lëri ata të hanë, të gëzohen e të mashtrohen nga shpresat (e rreme), se do ta kuptojnë.
Asnjë vend nuk e kemi shkatërruar e të mos e ketë pasur kohën e caktuar.
Asnjë popull nuk mund ta përshpejtojë afatin e (shkatërrimit të) vet e as ta vonojë atë.
Ata thanë: "O ti që të është shpallur Këshilla (Kurani), ti përnjëmend je i marrë.
Përse nuk na i sjell melekët, nëse e thua të vërtetën?"
Melekët i zbresim vetëm me të vërtetën (për t'i dënuar keqbërësit), e atëherë nuk u jepet afat.
Me të vërtetë, Ne e e shpallëm Kuranin dhe, pa dyshim, Ne do ta ruajmë atë.
Në të vërtetë, para teje kemi çuar të dërguar te bashkësitë e mëparshme.
Sa herë që u vinte ndonjë i dërguar, talleshin me të.
Kështu pra, Ne fusim përgënjeshtrimin në zemrat e keqbërësve.
Ata nuk besojnë në të, përkundër shembujve të popujve të mëparshëm.
Edhe sikur t'ua çelnim një portë nga qielli, do të ngjiteshin në të
e do të thoshin: "Në të vërtetë, na janë marrë sytë, madje na është bërë magji."
Ne kemi krijuar yjësi në qiell dhe e kemi zbukuruar për vështruesit,
si dhe i ruajmë prej çdo shejtani të mallkuar,
përveç atij që dëgjon vjedhurazi dhe ndiqet nga ndonjë shigjetë flakëruese.
Ne e shtrimë Tokën dhe vumë në të male të patundshme. Po ashtu Ne bëmë që të mbijë në të çdo gjë në masë të drejtë,
si dhe bëmë mjete jetese për ju dhe për ata që nuk i mbani ju.
S'ka asnjë send që thesaret e tij të mos jenë te Ne, por Ne i dërgojmë në sasi të caktuar.
Ne i dërgojmë erërat pllenuese dhe lëshojmë shi nga qielli e ju japim për të pirë, e ju nuk mund ta grumbulloni atë.
Vetëm Ne japim jetë e vdekje dhe Ne jemi trashëguesit.
Ne i dimë ata që qenë para jush dhe ata që do të vijnë pas jush.
Pa dyshim, Zoti yt do t'i tubojë ata. Ai është vërtet i Urtë e i Gjithëdijshëm.
Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun prej një balte të tharë, të zezë e të ndryshuar,
ndërsa xhinët i krijuam më parë nga një flakë e fortë.
Kur Zoti u tha melekëve: "Unë do të krijoj një njeri prej një balte të tharë, të zezë e të ndryshuar.
Kur t'i jap formë e t'i fryj shpirtin, bjerini atij në sexhde[81]!"
Të gjithë melekët i ranë në sexhde së bashku,
përveç Iblisit, i cili nuk pranoi të ishte prej atyre që bënë sexhde.
Allahu i tha: "O Iblis, ç'ke që nuk iu bashkove atyre që bënë sexhde?"
Ai tha: "Unë nuk kam për t'i rënë në sexhde një njeriu që e krijove prej një balte të tharë, të zezë e të ndryshuar."
Allahu i tha: "Atëherë, dil prej aty, sepse ti je i mallkuar
dhe mallkimi do të jetë mbi ty deri në Ditën e Gjykimit."
Ai tha: "Zoti im! Më jep afat deri në ditën që do të ringjallen!"
Allahu tha: "Atëherë, ty do të të jepet afat
deri në një ditë të caktuar."
Ai (Iblisi) tha: "Zoti im, meqë më çove në humbje, unë do t'ua hijeshoj atyre të pavërtetën në Tokë dhe do t'i shmang të gjithë nga rruga e drejtë,
përveç robërve të Tu të përkushtuar."
Allahu tha: "Kjo është rruga Ime e drejtë.
Ti nuk ke pushtet mbi robërit e Mi, përveç mbi të humburit që të ndjekin ty.
Me të vërtetë, Xhehenemi është vendi i premtuar i të gjithë atyre.
Ai ka shtatë porta e në çdo portë hyn një pjesë e caktuar.
Me të vërtetë, të devotshmit do të jenë në kopshte të Xhenetit, pranë burimeve.
"Hyni në të të shpëtuar e të sigurt!"
Ne do të shkulim mërinë nga zemrat e tyre e do të jenë vëllezër të ulur në divane përballë njëri-tjetrit.
Ata nuk do t'i prekë lodhja në të e as do të nxirren prej aty.
Tregoju robërve të Mi se Unë jam Falësi i Madh e Mëshirëploti
dhe se dënimi Im është i dhembshëm!
Tregoju atyre edhe për mysafirët e Ibrahimit!
Ata hynë tek ai dhe i thanë: "Selam (paqe)!" Ai (më pas) u tha: "Në të vërtetë, ne kemi frikë nga ju."
Ata i thanë: "Mos ki frikë, se ne po të japim myzhde se do të kesh një djalë të ditur!"
Ai tha: "A po më jepni këtë myzhde, përkundër pleqërisë që më ka kapluar?! Për çfarë myzhdeje po flisni?!"
Ata thanë: "Po të japim myzhde me vërtetësi, prandaj mos u bëj i pashpresë!"
Ai tha: "E kush e këput shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç të humburve?!"
Ai (Ibrahimi) tha: "Për çfarë pune keni ardhur, o të dërguar?"
Ata thanë: "Ne jemi dërguar te një popull keqbërës,
përveç familjes së Lutit (dhe pasuesve të tij). Ne do t'i shpëtojmë të gjithë ata,
me përjashtim të gruas së tij, për të cilën kemi caktuar që të mbetet pas (me të dënuarit)."
E, kur i erdhën Lutit të dërguarit,
ai u tha: "Unë nuk po ju njoh!"
Ata i thanë: "Në të vërtetë, ne kemi sjellë atë në të cilën dyshonin
dhe kemi sjellë të vërtetën, e, pa dyshim, ne po e themi të vërtetën.
Ik me familjen tënde në një pjesë të natës, shko pas tyre, le të mos shikojë mbrapa askush nga ju, por shkoni aty ku jeni urdhëruar!
Ne i kumtuam atij se ata do të shfaroseshin në mëngjes.
Ndërkohë, banorët e qytetit erdhën të gëzuar.
Ai u tha: "Këta janë mysafirët e mi, prandaj mos më turpëroni!
Frikësojuni Allahut e mos më poshtëroni!"
Ata i thanë: "A nuk ta kemi ndaluar që të pranosh njerëz (si mysafirë)?"
Ai tha: "Ja bijat e mia, (martohuni me to), nëse tashmë keni vendosur të bëni diçka.
Betohem për jetën tënde (o Muhamed) se ata bridhnin të humbur në dehjen e tyre.
Ata i mori gjëmimi i tmerrshëm në kohën e lindjes së Diellit,
dhe përmbysëm vendin e tyre, duke kthyer poshtë pjesën e sipërme të tij dhe lëshuam mbi ta rrebesh gurësh prej baltës së pjekur.
Vërtet, në këtë ka shenja për ata që u kushtojnë vëmendje.
Ato (qytetet e rrënuara) gjendeshin pranë një rruge që ekziston ende.
Vërtet, në këtë ka shenja për besimtarët.
Edhe banorët e Ejkes[82] ishin zullumqarë,
prandaj u hakmorëm ndaj tyre dhe që të dyja (këto vende) janë në rrugë të dukshme.
Por, edhe banorët e Hixhrit[83] i quajtën gënjeshtarë të dërguarit.
Ne ua dhamë shenjat Tona, por ata ua kthyen shpinën.
Ata gdhendnin shtëpi në male, duke qenë të sigurt.
Por, gjëmimi i tmerrshëm i goditi në mëngjes
dhe ajo që fituan nuk u bëri dobi aspak.
Ne krijuam qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet ndërmjet tyre vetëm me urtësi. Ndërkaq, Ora e Kiametit do të vijë patjetër, prandaj fal me dashamirësi!
Pa dyshim, Zoti yt është Krijuesi i gjthçkaje, i Gjithëdijshmi.
Me të vërtetë, Ne të dhamë ty shtatë ajetet e përsëritura dhe Kuranin e madhërishëm.
Kurrsesi mos i kthe sytë nga të mirat (e përkohshme) me të cilat i kemi begatuar disa prej tyre, as mos u brengos për ta dhe ji i butë me besimtarët!
Thuaj: "Unë, me të vërtetë, jam paralajmërues i qartë."
Ashtu siç u dërguam dënimin ndarësve,
të cilët e ndanë Kuranin në pjesë.
Por, betohem për Zotin tënd se do t'i pyesim të gjithë ata
për gjithçka që bënin.
Kumto haptas atë që të urdhërohet dhe mos ua vër veshin idhujtarëve,
se Ne të mjaftojmë ty kundër tallësve,
të cilët adhurojnë krahas Allahut zot tjetër. Por, së shpejti do ta kuptojnë!
Ne e dimë mirë se ty të ngushtohet gjoksi për shkak të asaj që thonë ata,
por ti lartësoje Zotin tënd me lavdërim e ji prej atyre që bëjnë sexhde
dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!

