The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThe Romans [Ar-Room] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah The Romans [Ar-Room] Ayah 60 Location Maccah Number 30
Elif, lam, mim.[97]
U mundën bizantinët,
në tokën më të afërt. Por, pas mundjes së tyre, ata do të ngadhënjejnë
brenda pak vjetësh. Vendimi i takon Allahut para dhe pas. Atë ditë do të gëzohen besimtarët
për ndihmën e Allahut. Ai ndihmon kë të dojë dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti.
Ky është premtimi i Allahut e Allahu nuk e thyen premtimin e Vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
Ata dinë vetëm anën e jashtme të jetës së kësaj bote, ndërsa ndaj botës tjetër janë krejtësisht të shkujdesur.
A nuk mendojnë ata në vetvete: Allahu krijoi qiejt, Tokën dhe çdo gjë ndërmjet tyre vetëm me urtësi dhe për një kohë të caktuar? Por, shumë prej njerëzve, në të vërtetë, e mohojnë takimin me Zotin e tyre.
A nuk udhëtuan ata nëpër tokë, që të shihnin se si ishte fundi i atyre që ishin para tyre? Ata ishin më të fortë, madje ata e punonin tokën dhe e gjallëronin atë më shumë se këta. Edhe atyre u vajtën të dërguarit e tyre me prova të qarta. Pra, Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.
Pastaj, përfundimi i atyre që bënë keq ishte më i keqi, sepse ata përgënjeshtruan ajetet e Allahut dhe talleshin me to.
Allahu e nis krijimin e më pas e përsërit atë. Pastaj, tek Ai do të ktheheni.
E, në ditën kur do të ndodhë Kiameti, keqbërësit do të jenë të dëshpëruar.
Ata nuk do të kenë ndërmjetës nga idhujt dhe do t'i mohojnë idhujt e tyre.
Ditën kur të ndodhë Kiameti, atë Ditë ata do të ndahen.
Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të gëzohen në Kopshtin e Kënaqësisë.
kurse ata që mohojnë e përgënjeshtrojnë ajetet Tona dhe takimin e botës tjetër, do të sillen për dënim.
Prandaj, lavdërimi i takon Allahut kur të arrini mbrëmjen e kur të arrini mëngjesin!
Atij i takon lavdërimi në qiej e në Tokë, pasdite dhe në mesditë.
Ai e nxjerr të gjallën prej së vdekurës, e nxjerr të vdekurën prej së gjallës dhe e gjallëron tokën pasi të jetë tharë. Po kështu edhe ju do të nxirreni.
Prej shenjave të Tij është që Ai ju krijoi prej dheut, pastaj ja, ju u bëtë njerëz të shpërndarë.
Prej shenjave të Tij është edhe ajo se Ai krijoi për ju bashkëshorte nga lloji juaj, që të gjeni prehje tek ato dhe vuri ndërmjet jush dashuri e mëshirë. Njëmend, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.
Prej shenjave të Tij është edhe krijimi i qiejve e i Tokës dhe llojllojshmëria e gjuhëve dhe ngjyrave tuaja. Vërtet në këtë ka shenja për të diturit.
Prej shenjave të Tij është edhe gjumi juaj gjatë natës e gjatë ditës dhe kërkimi i mirësisë së Tij nga ana juaj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë.
Prej shenjave të Tij është gjithashtu se Ai jua shfaq vetëtimën, e cila ju ngjall frikë e shpresë dhe ju lëshon shi nga qielli, me të cilin e gjallëron tokën pasi të jetë tharë. Pa dyshim, në këtë ka shenja për njerëzit që kuptojnë.
Prej shenjave të Tij është po ashtu se Ai bën qiellin e Tokën të qëndrojnë me urdhrin e Tij e pastaj, kur t'ju thërrasë një herë, ju do të dilni përnjëherë nga toka.
Të Tijtë janë krejt ç'ka në qiej e në Tokë. Të gjithë janë të përulur ndaj Tij.
Është Ai që e nis krijimin e më pas e përsërit atë, ndërkohë që kjo është edhe më e lehtë për të.[98] Atij i takon shembulli më i lartë në qiej e në Tokë dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, i Urti.
Ai ju sjell një shembull nga vetë ju: a keni ndonjë ortak nga skllevërit tuaj që ndajnë me ju në mënyrë të barabartë pasurinë që jua kemi dhënë? A u frikësoheni atyre ashtu siç i frikësoheni shtresës suaj? Kështu ua sqarojmë shenjat njerëzve që kuptojnë.
Por jo! Keqbërësit ndjekin dëshirat e tyre pa pasur dije. E kush mund ta udhëzojë atë që Allahu e çon në humbje? Ata nuk kanë asnjë ndihmëtar.
Pra, ktheje fytyrën nga feja (e vërtetë) duke qenë besimdrejtë, natyra e pastër në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S'ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
۞ مُنِيبِينَ إِلَيۡهِ وَٱتَّقُوهُ وَأَقِيمُواْ ٱلصَّلَوٰةَ وَلَا تَكُونُواْ مِنَ ٱلۡمُشۡرِكِينَ [٣١]
Kthehuni tek Ai të penduar, frikësojuni Atij dhe faleni namazin e mos u bëni idhujtarë,
të cilët bënë përçarje në fenë e tyre dhe u shndërruan në sekte, secila palë gëzohet me atë që ka.
Kur njerëzit i godet ndonjë e keqe, ata i luten Zotit të tyre, duke u kthyer tek Ai të penduar, Por, sapo ua mundëson të shijojnë mëshirën e Tij, disa prej tyre i bëjnë ortakë Zotit të tyre,
duke mohuar kështu të mirat që ua dhamë. Por, kënaquni (për pak kohë), se së shpejti do ta kuptoni!
Mos vallë u kemi shpallur Ne atyre ndonjë dëshmi që mbështet shoqërimin që ia bëjnë Atij (në adhurim)?!
Kur ua mundësojmë njerëzve të shijojnë mëshirën, ata gëzohen me të e, kur i godet ndonjë e keqe për shkak të asaj që kanë bërë duart e tyre, i humbin shpresat.
A nuk e shohin ata se Allahu ia shton rizkun kujt të dojë dhe ia pakon kujt të dojë?! Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që besojnë.
Pra, jepja të afërmit, nevojtarit dhe udhëtarit të mbetur rrugës të drejtën e vet! Kjo është më e mirë për ata që kërkojnë kënaqësinë e Allahut. Mu ata janë të sukseshmit.
Çfarëdo pasurie që u jepni njerëzve me qëllim që t'ju kthehet më shumë, ajo nuk shtohet tek Allahu.[99] Ndërkaq, çfarëdo lëmoshe që jepni, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, pikërisht kjo është ajo që do të shumëfishohet.
Allahu është Ai që ju krijoi ju, pastaj ju furnizoi e më pas ju bën të vdisni e mandej ju ringjall. A mund të bëjë ndokush nga të adhuruarit tuaj (përveç Allahut) diçka të këtillë? I patëmeta e i Lartësuar është Ai mbi çdo gjë që i shoqërojnë Atij.
Në tokë e në det është shfaqur e keqja për shkak të asaj që kanë bërë duart e njerëzve, që Allahu t'i bëjë të shijojnë pasojat e disa veprave që kanë bërë, në mënyrë që të kthehen.
Thuaj: "Udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i atyre që ishin para jush!" Shumica prej tyre ishin idhujtarë.
Ktheje fytyrën nga feja e drejtë para se të vijë një Ditë e caktuar nga Allahu, e cila nuk mund të zmbrapset. Atë Ditë njerëzit do të ndahen.
Kush nuk beson, do të bartë pasojat e mosbesimit të tij, e kush bën vepra të mira, ia përgatit vendin vetes (në Xhenet).
Ai do t'i shpërblejë nga dhuntia e Tij ata që besuan dhe bënë vepra të mira. Vërtet, Ai nuk i do jobesimtarët.
Prej shenjave të Tij është edhe se Ai i dërgon erërat si përgëzuese, që t'ju bëjë të shijoni mëshirën e Tij, që anijet të lundrojnë me urdhrin e Tij, që të kërkoni nga mirësia e Tij dhe që të jeni mirënjohës.
Në të vërtetë, Ne çuam para teje të dërguar te popujt e tyre, të cilët u erdhën me prova të qarta. Pastaj u hakmorëm ndaj atyre që bënë ligësi. Është detyrë Jona t'i ndihmojmë besimtarët.
Allahu është Ai që i dërgon erërat që t'i lëvizin retë, pastaj i shpërndan në qiell si të dojë dhe i ndan pjesë-pjesë, e më pas sheh shiun sesi del prej tyre. Pastaj, sapo të bjerë mbi ata që do nga robërit e Vet, ata gëzohen përnjëherë,
ndonëse përpara se t'u zbriste shiu kishin humbur shpresën plotësisht.
Shih pra gjurmët e mëshirës së Allahut se si e gjallëron tokën pasi të jetë tharë. Me të vërtetë, ky është Ai që do t'i ringjallë të vdekurit dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Por, nëse u dërgojmë ndonjë erë të dëmshme dhe i shohin (të mbjellat e tyre) të zverdhura, atëherë ata bëhen mohues (të dhuntive).
Ti nuk mund t'i bësh të vdekurit të dëgjojnë, as mund t'i bësh të shurdhrit të dëgjojnë thirrjen, kur ata të kthejnë shpinën!
Ti nuk mund t'i shmangësh të verbrit nga gabimi i tyre. Ti mund t'i bësh të dëgjojnë vetëm ata që besojnë në ajetet Tona. Ata janë muslimanë (të nënshtruar ndaj Nesh).
Allahu është Ai që ju krijoi në gjendje dobësie, pastaj pas dobësisë ju jep forcë e pas fuqisë ju bën të dobët e të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë dhe Ai është i Gjithëdijshmi, i Plotfuqishmi.
Ditën kur të ndodhë Kiameti, keqbërësit do të betohen se nuk kanë qëndruar (në varr) më shumë se një orë. Kështu shmangen ata (nga e vërteta).
Ndërkaq, ata të cilëve u është dhënë dituria dhe besimi do të thonë: "Ju qëndruat sipas caktimit të Allahut deri në Ditën e Ringjalljes. Kjo është Dita e Ringjalljes, por ju nuk e dinit."
Atë Ditë, keqbërësve nuk do t'u bëjë dobi arsyetimi e as do të kërkohet prej tyre që të pendohen.
Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kuran çdo lloj shembulli. Por, edhe nëse u sjell atyre mrekulli, jobesimtarët, me siguri, do të thonë: "Ju ndiqni vetëm të kotën."
Kështu Allahu vulos zemrat e atyre që nuk kanë dije.
Pra, duro, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë dhe kurrsesi mos lejo të të shkurajojnë ata që nuk besojnë!

