The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThose who set the ranks [As-Saaffat] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah Those who set the ranks [As-Saaffat] Ayah 182 Location Maccah Number 37
Betohem në ata (melekë) që rreshtohen në radhë,
dhe në ata që shtyjnë (retë),
si dhe në ata që lexojnë (Fjalën e Allahut),
se, vërtet, Zoti juaj është Një,
Zoti i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet ndërmjet tyre dhe Zoti i lindjeve!
Ne e kemi stolisur qiellin më të ulët me bukurinë e yjeve,
si mbrojtje prej çdo shejtani të pabindur.
Prandaj, ata s'mund të përgjojnë Parinë më të lartë (të melekëve) dhe qëllohen nga çdo anë,
duke u dëbuar - e për ta do të ketë dënim të përhershëm, -
me përjashtim të atij që rrëmben vjedhurazi ndonjë fjalë, të cilin e ndjek një shigjetë flakëruese që shpon.
Pra, pyeti ata: "A është më i vështirë krijimi i tyre apo gjërat e tjera që i krijuam?" Ne i krijuam ata prej baltës ngjitëse.
Në të vërtetë, ti habitesh, ndërsa ata tallen
dhe, kur këshillohen, nuk marrin mësim.
Madje, kur shohin ndonjë shenjë, tallen me të
dhe thonë: "Kjo s'është gjë tjetër, veçse magji e kulluar.
A mos, vallë, kur të vdesim e të bëhemi pluhur e kocka, do të ringjallemi?!
A edhe të parët tanë të lashtë?!"
Thuaju: "Po, madje të poshtëruar."
Do të jetë një buçimë e vetme[108], pas së cilës do të ngrihen duke shikuar
e do të thonë: "Ah! Të mjerët ne! Kjo është Dita e Llogarisë!"
(Atyre do t'u thuhet): "Kjo është pra Dita e Gjykimit, të cilën e përgënjeshtronit!"
(E do t'u thuhet melekëve): "Tuboni të gjithë ata që bënë keq, sojin e tyre dhe ata që i adhuronin
në vend të Allahut e tregojuani rrugën e Zjarrit flakërues!
Ndalini ata, se do të merren në pyetje!"
"Ç'keni që nuk ndihmoni njëri-tjetrin?"
Në të vërtetë, atë Ditë ata do të dorëzohen plotësisht.
Ata do të kthehen nga njëri-tjetri, duke u grindur.
Do të thonë (pasuesit): "Ishit ju që na vinit nga e djathta (duke na mashtruar)."
Ata (të pasuarit) do të thonë: "Jo, por ju vetë nuk ishit besimtarë.
Ne nuk patëm kurrfarë pushteti mbi ju. Përkundrazi, ju vetë ishit njerëz që kalonit kufijtë.
Prandaj u përmbush kundër nesh fjala e Zotit Tonë, kështu që patjetër do ta shijojmë (dënimin).
Ne ju çuam në humbje, meqë vetë ishim të humbur."
Atë Ditë, ata do të jenë në dënim të gjithë së bashku.
Kështu veprojmë Ne me keqbërësit,
sepse, sa herë që u thuhej atyre: "Askush përveç Allahut nuk ka të drejtë të adhurohet", ata tregoheshin mendjemëdhenj
dhe thoshin: "Vallë, a t'i braktisim zotat tanë për një poet të çmendur?!"
Përkundrazi, ai e solli të vërtetën dhe vërtetoi të dërguarit (e mëparshëm).
Gjithsesi, ju do ta shijoni dënimin e dhembshëm
dhe do të ndëshkoheni vetëm për atë që keni bërë,
me përjashtim të robërve të përkushtuar të Allahut.
Për ta do të ketë mirësi të njohura:
fruta të llojllojshme dhe do të jenë të nderuar,
në Kopshtet e Lumturisë,
në divane, përballë njëri-tjetrit.
Atyre do t'u shërbehet një gotë verë e mbushur nga një burim:
e bardhë dhe e shijshme për ata që e pinë.
Ajo nuk do t'u bëjë dëm e as do të dehen prej saj.
Pranë tyre do të jenë vashat e dëlira e symëdha,
sikur të ishin perla të ruajtura mirë.
Pastaj ata do të kthehen nga njëri-tjetri duke biseduar.
Dikush prej tyre do të thotë: "Unë kisha një shok,
i cili më thoshte: "Njëmend je nga ata që besojnë
se, kur të vdesim e të bëhemi pluhur e kocka, do të merremi në llogari?!"
Ai do të thotë: "A dëshironi ta shihni?"
Atëherë, ai do të shikojë poshtë e do ta shohë atë në mes të Zjarrit flakërues.
Ai do të thotë: "Për Allahun, për pak sa nuk më shkatërrove edhe mua!
Po të mos ishte mirësia e Zotit tim, do të isha prej të dënuarve."
(Atëherë do t'u thotë bashkëbesimtarëve të vet): "Pra, ne nuk do të vdesim më,
përveç vdekjes sonë të parë, e as do të ndëshkohemi."
Pa dyshim, kjo është fitorja e madhe!
Për diçka të këtillë le të përpiqen punëtorët!
A është më e mirë kjo gjendje apo pema e zekumit?
Ne e kemi bërë atë sprovë për zullumqarët.
Ajo është një pemë që del nga fundi i Zjarrit flakërues,
frutat e së cilës janë si kokat e djajve.
Ata, me siguri, do të hanë prej saj dhe do t'i mbushin barqet me të.
Pastaj do t'u jepet një përzierje me ujë të vluar
e mandej do të kthehen në Zjarrin flakërues.
Ata i gjetën baballarët e tyre të humbur
dhe nxituan të ndjekin gjurmët e tyre.
Në të vërtetë, edhe para tyre patën humbur shumica e të mëparshmëve,
edhe pse në mesin e tyre dërguam paralajmërues.
Shih pra si ishte fundi i atyre që qenë paralajmëruar!
Përjashtim bëjnë vetëm robërit e përkushtuar të Allahut.
Me të vërtetë, Ne na pati bërë lutje Nuhu, e sa të shkëlqyer jemi në përgjigje.
Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij nga fatkeqësia e madhe
dhe pasardhësit e tij i bëmë të mbijetuarit e vetëm.
Ne i lamë atij një përmendje të mirë te brezat e mëvonshëm.
"Paqja qoftë mbi Nuhun në mbarë botën!"
Kështu i shpërblejmë Ne punëmbarët.
Ai ishte prej robërve Tanë besimtarë.
Pastaj i fundosëm të tjerët.
Pa dyshim, prej ndjekësve të rrugës së tij ishte Ibrahimi.
Kujto kur erdhi te Zoti i tij me zemër të shëndoshë
dhe i tha babait e popullit të vet: "Çfarë po adhuroni?
Vallë, zota të rremë dëshironi në vend të Allahut?
Atëherë, çfarë mendoni ju për Zotin e botëve?"
Më pas, ai u hodhi një shikim yjeve
dhe tha: "Unë jam i sëmurë."
Kështu, ata kthyen shpinën e u larguan prej tij.
Atëherë, ai u përvodh te zotat e tyre dhe u tha: "A nuk po hani?
Ç'keni që nuk flisni?"
Pastaj, iu kthye atyre, duke i goditur me dorën e djathtë.
Atëherë, njerëzit erdhën me nxitim drejt tij.
Ai tha: "Si adhuroni diçka që vetë e keni gdhendur,
ndërkohë që Allahu ju krijoi ju dhe atë që punoni?!"
Ata thanë: "Ndërtoni për të një furrë dhe hidheni në zjarrin flakërues!"
Ata deshën t'i ngrinin një kurth, por Ne bëmë që ata të jenë të poshtëruarit.
Ai tha: "Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë.
Zoti im, më dhuro fëmijë të mirë!"
Atëherë, Ne i dhamë myzhde për një djalë të butë (Ismailin).
E, kur ai u rrit sa të mund të punonte me të, Ibrahimi i tha: "O biri im, kam parë në ëndërr se duhet të të flijoj. Më trego çfarë po mendon?" Ai i tha: "O babushi im, vepro ashtu siç urdhërohesh! Në dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm."
Kur ata të dy u nënshtruan dhe Ibrahimi e vuri me fytyrë përtokë,
Ne e thirrëm: "O Ibrahim!
E përmbushe ëndrrën." Kështu i shpërblejmë Ne punëmbarët.
Kjo ishte njëmend një sprovë e qartë.
Ne e zëvendësuam atë me një kurban të madh
dhe i lamë atij një përmendje të mirë te brezat e mëvonshëm.
"Paqja qoftë mbi Ibrahimin!"
Kështu i shpërblejmë Ne punëmbarët.
Ai ishte prej robërve tanë besimtarë.
Ne i dhamë myzhde për Ishakun, një pejgamber nga të mirët.
Ne e bekuam atë dhe Ishakun, por në mesin e pasardhësve të tyre kishte punëmbarë, por edhe të atillë që dukshëm i bënë padrejtësi vetvetes me gjynahe.
Vërtet, Ne u dhuruam mirësi Musait dhe Harunit,
i shpëtuam ata të dy dhe popullin e tyre nga brenga e madhe
dhe i ndihmuam, kështu që dolën ngadhënjyes.
Ne u dhamë atyre të dyve Librin e qartë,
i udhëzuam në rrugën e drejtë
dhe u lamë një përmendje të mirë te brezat e mëvonshëm.
Paqja qoftë mbi Musain e Harunin!
Kështu i shpërblejmë Ne punëmbarët.
Ata ishin vërtet nga robërit Tanë besimtarë.
Edhe Iljasi ishte vërtet një nga të dërguarit.
Ai i tha popullit të vet: "A nuk i frikësoheni Allahut?
Vallë, si mund ta lutni Ba'lin[109] e po e lini Krijuesin më të mirë,
Allahun, Zotin tuaj dhe Zotin e të parëve tuaj të lashtë?!"
Por, ata e përgënjeshtruan atë, prandaj do të ndëshkohen patjetër,
me përjashtim të robërve të përkushtuar të Allahut.
Ne i lamë atij një përmendje të mirë te brezat e mëvonshëm.
Paqja qoftë mbi Iliasin.
Kështu i shpërblejmë Ne punëmbarët.
Ai ishte prej robërve Tanë besimtarë.
Me të vërtetë, edhe Luti ishte njëri nga të dërguarit.
Kujto kur e shpëtuam atë dhe gjithë familjen e tij,
përveç një plake që ishte në mesin e atyre që mbetën pas.
Pastaj, i shkatërruam të tjerët.
Ju kaloni pranë (rrënojave të) tyre në mëngjes
dhe gjatë natës. A nuk po mblidhni mend?!
Pa dyshim, edhe Junusi ishte njëri nga të dërguarit.
Kujto kur iku në anijen e mbushur plot e përplot,
pastaj hodhi short dhe humbi.
Pastaj e gëlltiti balena, duke qenë fajtor.
Por, sikur të mos ishte prej atyre që e madhëronin Allahun,
do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën kur do të ringjallen (njerëzit).
Por, Ne e hodhëm në një tokë të shkretë, duke qenë i sëmurë,
dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli.
Ne e dërguam atë te njëqind mijë njerëz ose më tepër
dhe ata i besuan, andaj i lamë të jetonin për një kohë.
Pra, pyeti ata: "Vallë, të Zotit tënd qenkan vajzat e të tyrët djemtë?!"
A mos i krijuam melekët si femra e ata ishin të pranishëm?!
Vini re! Pa dyshim, ata shpifin kur thonë:
"Allahu ka lindur fëmijë", ndërkohë që janë gënjeshtarë.
Vallë, a i zgjodhi Ai vajzat kundrejt djemve?!
Ç'keni që gjykoni kështu?!
A nuk po mendoni?!
Apo keni ndonjë provë të qartë?!
Pra, sillni librin tuaj, nëse po e thoni të vërtetën!
Ata sajuan farefisni ndërmjet Tij dhe xhinëve, ndërkohë që vetë xhinët e dinë se ata do të sillen patjetër (për të dhënë llogari).
I Lartësuar është Allahu nga ajo që i veshin ata.
Përjashtim bëjnë robërit e përkushtuar të Allahut.
Pra, as ju e as ata që i adhuroni,
nuk mund të mashtroni askënd kundër Tij,
përveç atyre që do të digjen në Zjarrin flakërues.
(Melekët thonë:) "Gjithsecili nga ne e ka vendin të caktuar.
Njëmend, ne jemi ata që qëndrojnë të rreshtuar në radhë,
dhe me të vërtetë ne jemi ata që e madhërojnë Allahun."
Edhe pse ata (idhujtarët e Mekës) thoshin:
"Sikur të kishim një Libër nga të mëparshmit,
sigurisht që do të kishim qenë robër të përkushtuar të Allahut."
Ndërkohë që ata e mohuan atë (Kuranin), por së shpejti do ta marrin vesh!
Fjala Jonë u është dhënë qysh më parë robërve Tanë të dërguar
se, me të vërtetë, ata do të ndihmohen
dhe se ushtria Jonë, me siguri, do të jetë ngadhënjyese.
Prandaj, shmangiu atyre për njëfarë kohe!
Vështroji ata, se edhe ata së shpejti do ta shohin!
Vallë, a mos po kërkojnë ata përshpejtimin e dënimit Tonë?
Kur ai të zbresë në mesin e tyre, i tmerrshëm do të jetë mëngjesi i atyre që u paralajmëruan!
Pra, shmangiu atyre për njëfarë kohe!
Vështroji ata, se edhe ata së shpejti do ta shohin!
I patëmeta është Zoti yt, Zoti i Gjithëfuqisë, mbi gjithçka që i veshin Atij!
Paqja qoftë mbi të dërguarit
dhe lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

