عربيEnglish

The Noble Qur'an Encyclopedia

Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languages

The Women [An-Nisa] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)

Surah The Women [An-Nisa] Ayah 176 Location Madanah Number 4

Nëse keni frikë se nuk do të jeni të drejtë ndaj jetimeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri a me katër. Mirëpo, në qoftë se frikësoheni se nuk do të mbani drejtësi, atëherë martohuni vetëm me një ose mjaftohuni me ato (robëresha) që i keni në pronësinë tuaj. Kështu do t'i ruheni më lehtë padrejtësisë.

Jepuani grave mehrin[34] e tyre detyrimisht! Mirëpo, në qoftë se ato me vetëdashje ju japin ndonjë pjesë të tij, atëherë merreni atë lirshëm e me kënaqësi!

Vërini në provë jetimët derisa të arrijnë moshën e martesës[35]. Nëse vëreni se janë pjekur, atëherë dorëzojuani pasurinë e tyre dhe mos e shpenzoni atë duke e shpërdorur e duke nxituar për ta harxhuar para se të rriten. Ai që është i pasur, le të përmbahet, kurse ai që është i varfër, le të shpenzojë prej saj në mënyrë të arsyeshme. Kur t'ua dorëzoni atyre pasurinë, bëjeni këtë para dëshmitarëve. Mjafton që Allahu është Dëshmitar dhe Ai që merr në llogari.

Allahu ju urdhëron në lidhje me trashëgiminë e fëmijëve tuaj: mashkullit i takon aq sa u takon dy femrave. Mirëpo, nëse (trashëgimtarë) janë dy a më shumë vajza, atëherë atyre u takojnë dy të tretat e asaj që lë pas (i vdekuri). E, nëse është vetëm një (vajzë), atëherë asaj i takon gjysma. Sa u përket prindërve, çdonjërit prej tyre i takon një e gjashta nga ajo që lë pas (i vdekuri), në qoftë se ka fëmijë. Mirëpo, nëse ai nuk ka fëmijë dhe e trashëgojnë prindërit, atëherë nënës së tij i bie një e treta (kurse babait pjesa tjetër). Ndërkaq, nëse ka vëllezër (ose motra), atëherë nënës së tij i bie një e gjashta (e pjesa e mbetur babait). Tërë kjo pas përmbushjes së porosisë (testamentit) që ka lënë dhe shlyerjes së borxhit[37]. Ju nuk e dini se a janë më të dobishëm për ju prindërit tuaj apo fëmijët tuaj. Ky është caktim i detyrueshëm nga Allahu. Pa dyshim, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.

Juve ju takon gjysma e trashëgimisë që lënë bashkëshortet tuaja, në qoftë se nuk kanë fëmijë. Mirëpo, nëse ato kanë fëmijë, juve ju takon një e katërta e asaj që lënë ato, pas përmbushjes së porosisë (testamentit) që kanë lënë dhe larjes së borxhit. Ndërkaq, atyre u takon një e katërta e asaj që lini pas, nëse ju nuk keni fëmijë. E, nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta e asaj që lini ju, pasi të përmbushet porosia që keni lënë dhe të shlyhet borxhi. E, nëse burri ose gruaja e vdekur nuk ka as baba e as fëmijë, por ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë çdonjërit prej tyre i takon një e gjashta. Nëse janë më shumë se kaq, atëherë atyre u takon bashkërisht një e treta[38], pasi të përmbushet porosia e lënë dhe të shlyhet borxhi, duke mos dëmtuar askënd (nëpërmjet testamentit). Kjo është porosia e Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Butë.

Këta janë kufijtë e Allahut. Atë që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Allahu do ta fusë në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.

Ndërkaq, atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i shkel ligjet e Tij, do ta fusë në Zjarr, ku do të qëndrojë përgjithmonë dhe ku do të ketë një dënim poshtërues.

Ata dy prej jush që e bëjnë atë (vepër kurvërie), ndëshkojini. Mirëpo, nëse ata pendohen dhe përmirësohen, atëherë lërini. Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit, Mëshirëplotë.

O besimtarë! Nuk ju lejohet t'i trashëgoni gratë (e të afërmve tuaj) me forcë. As mos i shtrëngoni[41] ato (gra tuaja që nuk i doni), me qëllim që t'u merrni një pjesë të pasurisë (mehrit) që ua keni dhënë, përveç nëse bëjnë ndonjë paturpësi të qartë. Çoni jetë të mirë me to! E, nëse nuk ju pëlqejnë (durojini, sepse), është e mundur që të urreni diçka e Allahu të sjellë përmes saj mirësi të shumta.

Nëse doni të lëshoni një grua për të marrë ndonjë tjetër, ndërkohë që i keni dhënë asaj një shumë të madhe pasurie (si mehër), mos merrni asgjë prej saj. A mos vallë, doni ta merrni atë padrejtësisht dhe duke bërë gjynah të qartë?!

Mos u martoni me ato gra me të cilat kanë qenë të martuar baballarët tuaj, përveç asaj që tashmë ka kaluar, sepse vërtet kjo vepër është e poshtër, e urryer dhe rrugë e shëmtuar!

Ju janë ndaluar (për martesë) nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat e vëllait, bijat e motrës, nënat tuaja nga qumështi, motrat tuaja nga qumështi, nënat e grave tuaja, thjeshtrat, të cilat i keni nën kujdesin tuaj, (të lindura) nga gratë me të cilat keni pasur marrëdhënie intime, e, në qoftë se nuk keni pasur marrëdhënie intime me to, atëherë s'ka gjynah për ju (të martoheni me vajzat e tyre). Po ashtu (ju janë ndaluar) gratë e bijve tuaj të lindur nga ju dhe të merrni dy motra njëkohësisht, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar. Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

(Të ndaluara për ju janë) edhe gratë që gjenden nën kurorë, përveç atyre (robëreshave) që i keni në pronësinë tuaj. Ky është urdhri i Allahut për ju. Ndërkohë, ju janë lejuar të tjerat që t'i merrni duke ua dhënë një pjesë të pasurisë suaj me qëllim martese e jo kurvërie. Atyre me të cilat keni marrëdhënie intime, japuani mehrin e vet në mënyrë të detyrueshme, por nuk keni gjynah nëse bëni marrëveshje (për shtimin a pakësimin e mehrit) pas përcaktimit të tij. Sigurisht, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.

Ai që nuk ka mundësi materiale që të martohet me gra të lira besimtare, le të martohet me ndonjë nga vajzat besimtare që janë në pronësinë tuaj (robëreshat). Allahu e di më së miri besimin tuaj. Ju jeni nga njëri-tjetri. Martohuni me to me lejen e kujdestarëve të tyre dhe jepuani mehrin ashtu siç kërkohet. Ato le të jenë të ndershme e jo të përdala e që kanë dashnorë. Nëse, pasi të martohen, bëjnë kurvëri, atëherë ndëshkimi për to është sa gjysma e ndëshkimit të përcaktuar për gra të lira. Kjo është për ata që kanë frikë nga rënia në kurvëri. Mirëpo, të bëni durim është më mirë për ju. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha që ju janë ndaluar, Ne do t'jua shlyejmë gjynahet tuaja të vogla dhe do t'ju fusim në një vend të nderuar.

Burrat janë kujdestarë të grave, për shkak të veçorive me të cilat i ka shquar Allahu në raport me to dhe ngaqë ata shpenzojnë nga pasuria e vet. Prandaj, gratë e mira janë të dëgjueshme dhe të ruajtura në mungesë (të burrave të tyre), sepse i ruan Allahu. E, sa u përket grave, mosbindjes së të cilave i druheni, këshillojini, braktisini në shtretër dhe rrihni ato (lehtë)! E, në qoftë se ju binden, atëherë mos kërkoni rrugë kundër tyre, sepse s'ka dyshim se Allahu është më i Larti, më i Madhi.

Nëse i druheni armiqësisë ndërmjet tyre, atëherë caktoni një ndërmjetës nga familja e burrit dhe një ndërmjetës nga familja e gruas. Nëse ata të dy duan të pajtohen, Allahu do t'ua bëjë të mundur pajtimin. Në të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës (i qëllimeve që fshehin në zemër).

të cilët tregohen koprracë dhe kërkojnë edhe nga njerëzit që të jenë dorështrënguar dhe e fshehin atë që ua ka dhënë Allahu nga mirësitë e Tij. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët një dënim poshtërues.

Në të vërtetë, Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca, por, nëse është punë e mirë, e shumëfishon atë dhe dhuron nga ana e Tij shpërblim madhështor.

Si do të jetë gjendja kur të sjellim prej çdo populli nga një dëshmitar dhe të të sjellim ty (Muhamed) dëshmitar mbi këta (njerëz)?!

A nuk i sheh ata të cilëve u është dhënë një pjesë (nga dija) e Librit se si e zgjedhin humbjen dhe dëshirojnë që edhe ju të humbisni rrugën (e drejtë)?!

Allahu i di më së miri armiqtë tuaj. Mjafton që Allahu është Mbikëqyrësi juaj dhe mjafton që Allahu është Ndihmëtari juaj.

Pa dyshim, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër përveç Tij, ndërsa gjynahet më të vogla ia fal kujt të dojë. Kush adhuron dikë a diçka tjetër përveç Allahut, vërtet ka bërë një gjynah të madh.

A nuk i ke parë ata që e mbajnë veten për të dëlirë?! Në të vërtetë, Allahu dëlir kë të dëshirojë dhe askujt nuk do t'i bëhet padrejtësi asnjë fije.

Mos vallë ata kanë hise në pushtet?! Po të ishte ashtu, ata nuk do t'u jepnin njerëzve as sa kokrriza e bërthamës.

Por, si do të jetë gjendja e tyre kur t'i godasë ndonjë fatkeqësi për shkak të asaj që kanë bërë me duart e veta e pastaj të vijnë te ti duke u betuar në Allahun e duke thënë: "Ne kemi dashur vetëm të bëjmë mirësi e pajtim"?!

Çdo të dërguar e kemi çuar vetëm që, me lejen e Allahut, t'i binden njerëzit. Në qoftë se ata, kur i bëjnë padrejtësi vetvetes (duke mëkatuar), do të vinin tek i Dërguari për t'i kërkuar falje Allahut dhe të kërkonte i Dërguari falje për ta, do të shihnin se Allahu është Pranues i pendimit e Mëshirëplotë.

E atëherë, me të vërtetë, Ne do t'u jepnim nga ana Jonë shpërblim madhështor

dhe, pa dyshim, do t'i udhëzonim në rrugë të drejtë.

Kushdo që i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut, e sa për ata që kthejnë shpinën, Ne nuk të kemi dërguar si rojtar të tyre.

Prandaj, lufto në rrugën e Allahut! Ti je përgjegjës vetëm për veten tënde. Madje, nxiti edhe besimtarët (për luftë)! Mbase, Allahu do të pengojë (kështu) fuqinë e jobesimtarëve. Allahu është më i fuqishmi dhe më i ashpri në ndëshkim.

Kush ndërmjetëson për ndonjë punë të mirë, do të marrë një pjesë prej shpërblimit të saj, e, kush ndërmjetëson për ndonjë punë të ligë, do të marrë një pjesë të ndëshkimit të saj. Allahu është Mbikëqyrës i gjithçkaje.

Kur t'ju përshëndesë ndokush me një përshëndetje, përshëndeteni me një më të bukur ose (të paktën) kthejeni atë (në të njëjtën mënyrë)! Në të vërtetë Allahu llogarit çdo gjë.

Allahu është Ai përveç të Cilit nuk ka zot që meriton të adhurohet. Ai, gjithsesi, do t'ju tubojë në Ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka dyshim. E kush mund të jetë në fjalë më i vërtetë se Allahu?!

Ç'është me ju që jeni ndarë në dy grupe lidhur me dyfytyrëshit?! Allahu i ktheu ata (në humbje) për shkak të asaj që kanë bërë. A mos vallë dëshironi t'i përudhni (në rrugë të drejtë) ata që Allahu i la në humbje?! Atij që Allahu e lë në humbje, nuk do të mund t'i gjesh rrugë (udhëzimi).

Nuk bën që besimtari të vrasë besimtarin, përveçse gabimisht. E, kush vret një besimtar pa dashje, duhet të lirojë një rob besimtar dhe të shpaguajë gjakun duke ia dorëzuar shpagimin familjes së tij, përveç nëse ia falin. Në qoftë se i vrari është nga një popull që e keni armik dhe është besimtar, atëherë duhet të lirohet një rob besimtar. Ndërkaq, nëse (i vrari) është nga një popull me të cilin keni marrëveshje, atëherë duhet shpaguar gjaku duke iu dorëzuar shpagimi familjes së tij dhe duhet liruar një rob besimtar. Ndërkaq, ai që nuk ka mundësi, duhet të agjërojë dy muaj rresht, që t'i pranohet pendimi nga Allahu. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.

E kush vret një besimtar qëllimisht, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, ku do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me të, e ka mallkuar dhe ka përgatitur për të një dënim të madh.

Nuk janë të barabartë besimtarët që rrinë (në shtëpitë e tyre), - përveç të paaftëve, - me ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i ka ngritur një shkallë më lart ata që luftojnë me pasurinë dhe jetën e tyre kundrejt atyre që nuk dalin në luftë. Allahu u ka premtuar të gjithëve mirësi (Xhenetin), por i ka veçuar luftëtarët, nga ata që nuk luftojnë, me shpërblim të madh,

Kur melekët t'ua marrin shpirtrat atyre që i kanë bërë padrejtësi vetvetes, do t'u thonë: "Në ç'gjendje ishit?" Ata do të thonë: "Ishim të pafuqishëm në tokë." Melekët do t'u thonë: "A nuk ishte toka e Allahut mjaftueshëm e gjerë, që të mërgonit në të?! Pra, vendstrehimi i tyre do të jetë Xhehenemi. Eh, sa vendbanim i keq që është ai!

Kur të jesh në mesin e tyre dhe t'u prish në namaz, le të falet një grup nga ata me ty dhe le t'i mbajnë armët. Kur ta kryejnë sexhden, ata le të dalin pas jush (për të vazhduar namazin pa imam) dhe le të vijë grupi tjetër që nuk është falur, le të falen me ty, por le të kenë kujdes dhe le t'i mbajnë armët. Jobesimtarët do të dëshironin të shkujdeseshit nga armët dhe pajisjet tuaja, që t'ju sulmojnë përnjëherë. Nuk keni gjynah t'i lëshoni armët nëse ju mundon shiu ose jeni të sëmurë, por rrini në gatishmëri! Vërtet, Allahu ka përgatitur për jobesimtarët dënim poshtërues.

Kërko falje nga Allahu, se, pa dyshim, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Kushdo që bën ndonjë vepër të keqe ose i bën padrejtësi vetvetes, pastaj i kërkon falje Allahut, do ta gjejë Allahun Falës të Madh e Mëshirëplotë.

Sikur të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj teje, një grup nga ata do të përpiqeshin të të largonin nga rruga e drejtë. Por, në të vërtetë, ata largojnë nga rruga e drejtë vetëm vetveten, kurse ty nuk të bëjnë dëm aspak. Allahu ta zbriti ty Librin e Urtësinë dhe të mësoi atë që nuk e dije. Dhuntia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe.

Ndërkaq, atë që i kundërvihet të Dërguarit, pasi t'i bëhet e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, do ta lëmë në rrugën që ka marrë dhe do ta fusim në Xhehenem. Eh, sa vendbanim i keq që është ai!

Me të vërtetë, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër krahas Tij, ndërsa gjynahet më të vogla ia fal kujt të dojë. Ai që adhuron dikë a diçka tjetër përveç Allahut, pa dyshim që ka rënë në një humbje të largët (nga e vërteta).

Atë e mallkoi Allahu, kurse ai tha: "Unë do të marr gjithsesi një pjesë të caktuar të robërve të Tu

Ai u premton atyre dhe i josh me shpresa (të kota), por premtimet që i bën shejtani janë vetëm mashtrime.

Ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, Ne do t'i fusim në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Ky është premtim i vërtetë i Allahut. E kush mund të jetë më i vërtetë në fjalë sesa Allahu?!

Nuk është (shpëtimi) sipas dëshirave tuaja e as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit, por kushdo që bën keq, do të ndëshkohet për të dhe, përveç Allahut, nuk do të gjejë mbrojtës e as ndihmës.

E Allahut është gjithçka që gjendet në qiej e gjithçka që gjendet në Tokë dhe Allahu përfshin çdo gjë (me dijen dhe fuqinë e Tij).

Të pyesin ty në lidhje me gratë, thuaju: "Allahu ju jep përgjigje lidhur me to dhe lidhur me atë që ju lexohet në Libër për gratë jetime (që janë nën përkujdesjen tuaj), të cilave nuk ua jepni atë që është caktuar për to, edhe pse dëshironi të martoheni me to, si dhe (ju sqaron) lidhur me fëmijët e dobët dhe se duhet të kujdeseni për jetimët me drejtësi. S'ka dyshim se për çfarëdo të mire që bëni, Allahu është i Gjithëditur.

Nuk do të mund të jeni të drejtë ndaj grave tuaja (në dashuri), edhe nëse përpiqeni, por mos anoni tërësisht vetëm nga njëra e ta lini tjetrën si të varur. Në qoftë se përmirësoni dhe ruheni, atëherë sigurisht që Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Allahut i takon gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Mjafton Allahu si Mbikëqyrës.

Kushdo që e synon shpërblimin e kësaj bote, le ta dijë se tek Allahu është shpërblimi i kësaj bote dhe i botës tjetër. Allahu dëgjon dhe sheh çdo gjë.

O besimtarë! Bëhuni zbatues të patundur të drejtësisë, dëshmitarë për hir të Allahut, qoftë dhe kundër vetes ose kundër prindërve e të afërmve tuaj, pavarësisht nëse (ai për të cilin dëshmoni) është i pasur a i varfër, Allahu është më i afërm për ta! Andaj, mos ndiqni ndjenjat e të ndryshoni të vërtetën. Në qoftë se shtrembëroni (të vërtetën) ose shmangeni (nga dëshmimi), dijeni se Allahu e di mirë çfarë veproni.

Pa dyshim, dyfytyrëshit do të jenë në shtresën më të ulët të Zjarrit dhe atyre s'do të mund t'u gjesh ndihmës,

Allahu nuk do që të thuhen hapur fjalë të këqija, përveç nga ata që u është bërë padrejtësi. Allahu është Gjithëdëgjues dhe i Gjithëdijshëm.

Nëse ju bëni ndonjë punë të mirë haptazi ose fshehurazi, ose falni (dikë) për ndonjë punë të keqe, atëherë Allahu është Shlyes i gjynaheve dhe i Plotfuqishëm.

(Ne i mallkuam ata) për shkak të thyerjes së besëlidhjes, mohimit të ajeteve të Allahut, vrasjes së pejgamberëve padrejtësisht dhe për shkak të thënies së tyre: "Zemrat tona janë të mbyllura." Jo, por Allahu ua ka vulosur ato për shkak të mosbesimit, andaj nuk besojnë, përveçse pak.

Po ashtu, (i mallkuam) për shkak të mosbesimit dhe shpifjes së tyre të madhe kundër Merjemes

dhe thënies së tyre: "Ne e kemi vrarë Mesihun - Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut. Por, në të vërtetë nuk e kanë vrarë, as e kanë kryqëzuar, por u është dukur ashtu. Ata që ranë në mospajtim rreth tij, janë në mëdyshje lidhur me të. Ata nuk kanë dije për të, përveç ndjekjes së hamendjes dhe sigurt nuk e kanë vrarë,

Të gjithë ithtarët e Librit patjetër do të besojnë në të para se ai (Isai) të vdesë, ndërsa në Ditën e Kiametit ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.

Për shkak të padrejtësisë që bënë hebrenjtë, Ne u ndaluam disa ushqime të mira që ishin të lejuara për ta dhe për shkak se ata pengonin (njerëzit) shumë nga rruga e Allahut,

po ashtu për shkak të marrjes së kamatës, ndonëse e kishin të ndaluar, si dhe ngrënies së pasurisë së njerëzve padrejtësisht. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët nga mesi i tyre dënim të dhembshëm.

Gjithashtu (dërguam) të dërguar për të cilët të kemi treguar më parë, por edhe të dërguar për të cilët nuk të kemi treguar. Ndërkohë, Allahu i ka folur Musait drejtpërdrejt.

(Dërguam) të dërguar që ishin përgëzues e paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë shfajësim para Allahut pas (dërgimit të) të dërguarve. Allahu është i Gjithëfuqishëm dhe i Urtë.

Pa dyshim, ata që nuk besojnë, por pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut, kanë humbur shumë larg së vërtetës.

O njerëz! Tashmë ju erdhi i Dërguari me të vërtetën nga Zoti juaj, prandaj besoni, sepse është më mirë për ju! E, po qe se mohoni, ta dini se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.

O ithtarë të Librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni për Allahun asgjë përveç së vërtetës, se, pa dyshim, Mesihu - Isai, biri i Merjemes, është vetëm i dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia dërgoi Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) prej Tij. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij e mos thoni "tre (zota)". Hiqni dorë, sepse është më mirë për ju! Me të vërtetë, Allahu është vetëm një Zot! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë dhe mjafton Allahu si Mbikëqyrës.

Ata kërkojnë gjykimin tënd. Thuaju: "Allahu ju jep përgjigje për kelalen (trashëgimlënësin që nuk lë pas vete fëmijë e as baba). Nëse vdes një njeri dhe nuk lë pas vete fëmijë (e as baba), por ka një motër, atëherë asaj i takon gjysma e trashëgimisë së tij. Ndërkohë, vëllait i takon trashëgimia e motrës (së ndjerë), në qoftë se ajo nuk ka fëmijë (e as baba). Në qoftë se ka dy (a më shumë) motra (që e trashëgojnë të vdekurin që nuk ka lënë gjallë fëmijë e as baba), atëherë atyre u takojnë dy të tretat e asaj që lë pas. Mirëpo, në qoftë se ka vëllezër dhe motra, atëherë mashkullit i takon aq sa u takon dy femrave. Allahu jua sqaron çështjet që të mos humbisni. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë."