عربيEnglish

The Noble Qur'an Encyclopedia

Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languages

The Forgiver [Ghafir] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)

Surah The Forgiver [Ghafir] Ayah 85 Location Maccah Number 40

Ha, mim.[111]

Shpallja e Librit (Kuranit) është nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi,

Falësi i gjynaheve, Pranuesi i pendimit, i ashpri në ndëshkim dhe Zotëruesi i bujarisë. Askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Tij dhe tek Ai është kthimi.

Edhe para tyre kishin përgënjeshtruar populli i Nuhut dhe grupet e tjera pas tij. Çdo popull përpiqej të vriste të dërguarin e vet. Ata kundërshtonin, duke dashur që, përmes së pavërtetës, të shuanin të vërtetën. Por, pastaj i kapa me ndëshkim. Ah, si ishte dënimi Im!

(Atyre do t'u thuhet): "Kjo është për shkak se, kur adhurohej vetëm Allahu, ju mohonit, por, kur i shoqërohej diçka në adhurim, ju besonit. Pra, gjykimi i takon Allahut, të Lartit e të Madhit.

Pra, lutjuni Allahut duke ia kushtuar adhurimin çiltërisht Atij, edhe nëse e urrejnë këtë gjë jobesimtarët!

Sot, çdo njeri do të shpërblehet për atë që ka punuar. Sot nuk ka padrejtësi. Me të vërtetë, Allahu është i shpejtë në llogari.

Paralajmëroji ata për Ditën e Afërt, kur zemrat do të arrijnë në fyt, të mbushura me ankth. Keqbërësit nuk do të kenë mik të ngushtë e as ndërmjetësues që i merret fjala.

Kjo, ngaqë atyre u vinin të dërguarit me prova të qarta, por ata nuk u besonin, prandaj Allahu i shkatërroi. Me të vërtetë, Ai është i Fuqishëm dhe i rreptë në ndëshkim.

Një burrë besimtar nga familja e Faraonit, që fshihte besimin e tij, tha: "A do të vrisni një njeri vetëm pse thotë: "Zoti im është Allahu", ndërkohë që ju ka sjellë prova të qarta nga Zoti juaj? Nëse është gënjeshtar, ai i vuan pasojat e gënjeshtrës së vet; por, nëse thotë të vërtetën, atëherë mund t'ju godasë diçka nga ajo me të cilën ju kërcënon. Pa dyshim, Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është teprues e gënjeshtar."

Atëherë, besimtari tha: "O populli im, unë frikësohem se do t'ju zërë ndonjë dënim si i popujve të mëhershëm,

O populli im, unë i druhem për ju Ditës kur do të thërrisni njëri-tjetrin (në ndihmë),

Ditën kur do të ktheni shpinën duke ikur, pa pasur askënd që t'ju mbrojë nga Allahu. E, atë që Allahu e çon në humbje, askush s'mund ta udhëzojë.

O populli im, në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm një kënaqësi e përkohshme, ndërsa jeta tjetër është shtëpia e përhershme."

O populli im, ç'është kjo kështu: unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni për në Zjarr?!

Ju më ftoni që të mohoj Allahun e t'i shoqëroj Atij të tjerë në adhurim, gjë për të cilën nuk kam asnjë dëshmi, ndërkohë që unë ju ftoj të besoni të Gjithëfuqishmin e Falësin e Madh.

Juve do t'ju kujtohet ajo që po ju them, e unë ia besoj çështjen time Allahut. Njëmend, Allahu është Gjithëvëzhgues i robërve të Vet."

Ata do t'i paraqiten zjarrit (në jetën e varrit) në mëngjes dhe në mbrëmje e, kur të ndodhë Kiameti, do të thuhet: "Futni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!"

Ata do të thonë: "A nuk ju erdhën të dërguarit tuaj me prova të qarta?" Ata do të përgjigjen: "Po, gjithsesi!" Rojat do të thonë: "Atëherë, lutuni vetë! Por, lutja e jobesimtarëve është krejt e kotë."

Me të vërtetë, Ne do t'i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, në jetën e kësaj bote dhe në Ditën kur do të sillen dëshmitarët,

Prandaj, bëj durim, sepse, pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë! Kërko falje për gjynahet e tua dhe lartësoje me lavdërim Zotin tënd, në mbrëmje e në mëngjes.

Ky është pra Allahu, Zoti juaj, Krijuesi i çdo gjëje. S'ka zot që meriton të adhurohet përveç Tij. Përse largoheni atëherë?!

Ai është i Përjetshmi, s'ka zot që meriton të adhurohet përveç Tij. Andaj, lutjuni Atij duke ia kushtuar çiltërisht adhurimin! Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Është Ai që ju ka krijuar prej dheut, pastaj prej një pikle, pastaj prej një mpiksjeje gjaku, pastaj prej një cope mishi e më pas ju nxjerr si foshnja e pastaj jua mundëson që të arrini moshën e pjekurisë e mandej të bëheni pleq, – ndonëse disa prej jush vdesin më herët, – në mënyrë që të arrini afatin që ju është caktuar, si dhe që të mund të kuptoni.

Ata që përgënjeshtrojnë Librin dhe të vërtetën me të cilën i kemi sjellë të dërguarit Tanë, së shpejti do ta kuptojnë,

Bëj durim, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë! Pavarësisht nëse të tregojmë diçka nga ajo me të cilën i kemi kërcënuar apo ta marrim shpirtin (para se t'i dënojmë), ata gjithsesi do të kthehen te Ne.

Në të vërtetë, Ne kemi çuar para teje të dërguar, për të cilët të kemi treguar, por edhe të dërguar të tjerë, për të cilët nuk të kemi treguar. Asnjë i dërguar nuk mund të sjellë mrekulli, përveçse me lejen e Allahut. E, kur të vijë urdhri i Allahut, do të gjykohet me drejtësi dhe atëherë do të shkatërrohen ithtarët e së kotës.