عربيEnglish

The Noble Qur'an Encyclopedia

Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languages

The wind-curved sandhills [Al-Ahqaf] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)

Surah The wind-curved sandhills [Al-Ahqaf] Ayah 35 Location Maccah Number 46

Ha, mim.[121]

Thuaj: "Më thoni, çka nëse ai (Kurani) është prej Allahut e ju e mohoni atë, ndërsa një dëshmitar nga bijtë e Israilit dëshmoi për vërtetësinë e tij dhe e besoi, ndërkohë që ju u treguat mendjemëdhenj?!" Me të vërtetë, Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë."

Para tij ishte Libri i Musait si udhërrëfyes e mëshirë. Ky (Kurani) është një Libër që e vërteton atë, (i shpallur) në gjuhën arabe, për të paralajmëruar ata që bëjnë padrejtësi dhe si përgëzim për punëmbarët.

Me të vërtetë, ata që thonë: "Zoti ynë është Allahu" e pastaj qëndrojnë të palëkundur në rrugën e drejtë, nuk do të kenë frikë e as do të pikëllohen.

Dikush u thotë prindërve të vet: "Uf ju! A po më premtoni se do të ringjallem, ndërkohë që kanë kaluar shumë breza para meje?" Ndërkaq, ata i kërkojnë ndihmë Allahut (duke i thënë të birit): "Mjerë ti! Beso, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë!" Por, ai thotë: "Kjo nuk është gjë tjetër veçse përralla të të parëve."

Të gjithë do të ketë shkallë të caktuara, sipas asaj që kanë punuar. Allahu do t'ua japë të plotë shpërblimin për veprat e tyre e nuk do t'u bëhet padrejtësi.

Kujto vëllanë e adëve (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf, – ndonëse edhe para tij e pas tij pati paralajmërues, – (duke thënë): "Mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut! Me të vërtetë, unë kam frikë për ju nga dënimi i një Dite të madhe."

Ata thanë: "A ke ardhur te ne për të na larguar nga zotat tanë?! Atëherë, na e sill atë me të cilën na kërcënon, nëse po e thua të vërtetën!"

Ai u tha: "Dija (për çastin e dënimit) është vetëm tek Allahu, ndërsa unë po jua përcjell atë me të cilën jam dërguar, por po e shoh që ju jeni një popull që nuk di."

Kur panë një re që po vinte drejt luginave të tyre, thanë: "Kjo është një re që do të na sjellë shi!" (Hudi iu përgjigj): "Jo, por kjo është ajo që kërkuat me ngut: një stuhi që mbart një dënim të dhembshëm,

Ne kemi shkatërruar vendbanimet përreth jush dhe u kemi dërguar shenja të llojllojshme, që të mund të ktheheshin (në rrugë të drejtë).

Kujto kur dërguam te ti një grup xhinësh për të dëgjuar Kuranin, të cilët, kur arritën aty, thanë: "Heshtni (e dëgjoni me vëmendje)!" Kur përfundoi (leximi), u kthyen te populli i tyre për t'ua tërhequr vërejtjen,

Ditën kur jobesimtarët do të sillen para Zjarrit, do t'u thuhet: "A nuk qenka kjo e vërtetë?" Ata do të thonë: "Po, për Zotin tonë!" Ai do të thotë: "Atëherë, shijoni dënimin për shkak se mohuat!"

Pra, duro ashtu siç duruan të dërguarit e patundur dhe mos kërko përshpejtimin e dënimit për ta! Ditën kur të shohin atë që u është premtuar, do t'u duket sikur të kenë qëndruar vetëm një çast të ditës. Kjo është një kumtesë. Nuk shkatërrohet askush tjetër përveç njerëzve të pabindur!