The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThe victory [Al-Fath] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah The victory [Al-Fath] Ayah 29 Location Madanah Number 48
Me të vërtetë, Ne të dhamë ty një fitore të qartë,
që Allahu të t'i falë gabimet e kaluara dhe ato të mëvonshmet, ta plotësojë dhuntinë e Tij ndaj teje dhe të të forcojë në rrugën e drejtë,
si dhe që Allahu të të ndihmojë me një ndihmë të fuqishme.
Është Ai që zbriti qetësinë në zemrat e besimtarëve, për t'ua shtuar besimin krahas besimit që kishin. Të Allahut janë ushtritë e qiejve e të Tokës dhe Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.
(E bëri këtë) që t'i fusë besimtarët e besimtaret në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, dhe që t'ua shlyejë të këqijat e tyre. Kjo, tek Allahu, është një fitore e madhe.
Dhe që t'i ndëshkojë dyfytyrëshit e dyfytyrëshet dhe idhujtarët e idhujtaret, të cilët kanë për Allahun mendime të këqija. Mbi ta qoftë e keqja! Allahu është zemëruar në ta, i ka mallkuar dhe u ka përgatitur Xhehenemin. Eh, sa vend i keq është ai!
Të Allahut janë ushtritë e qiejve e të Tokës dhe Allahu është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.
Me të vërtetë, Ne të dërguam ty si dëshmitar, përgëzues e paralajmërues,
që ta besoni Allahun e të Dërguarin e Tij dhe ta ndihmoni e ta nderoni atë, si dhe që ta lavdëroni Allahun në mëngjes e në mbrëmje.
Pa dyshim, ata që ta japin besën ty, në të vërtetë ia japin besën Allahut. Dora e Allahut është mbi duart e tyre. Ai që e thyen betimin, e thyen në dëm të vetes, ndërsa atij që i përmbahet besës që ia ka dhënë Allahut, Ai do t'i japë shpërblim të madh.
Beduinët që mbetën pas do të të thonë: "Na pengoi pasuria dhe familjet tona, prandaj kërko falje për ne!" Ata thonë me gjuhët e tyre atë që nuk e kanë në zemra. Thuaj: "Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron t'ju bëjë ndonjë dëm a t'ju bëjë ndonjë të mirë? Jo, por Allahu e di mirë çfarë veproni."
Në të vërtetë, ju menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të kthehen më kurrë te familjet e tyre dhe kjo gjë u zbukurua në zemrat tuaja. Ju ushqyet mendime të këqija dhe u bëtë popull i shkatërruar.
Ata që nuk e besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, le ta dinë se Ne kemi përgatitur për jobesimtarët një Zjarr flakërues.
Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Ai fal kë të dojë dhe ndëshkon kë të dojë. Allahu është gjithnjë Falës i Madh e Mëshirëplotë.
Ata që mbetën pas, kur të niseni për të marrë prenë e luftës, do të thonë: "Na lejoni të vijmë me ju!", duke dashur të ndryshojnë fjalën e Allahut. Thuaju: "Kurrsesi s'keni për të ardhur me ne. Kështu ka thënë Allahu që më parë." Atëherë do të thonë: "Nuk është ashtu, por ju na keni zili." Jo, por ata nuk kuptojnë, përveçse pak.
Thuaju beduinëve që mbetën pas: "Ju do të thirreni (për të luftuar) kundër një populli të fuqishëm; do t'i luftoni ose do të dorëzohen. Nëse bindeni, Allahu do t'ju japë shpërblim të mirë, por, nëse ktheni shpinën, siç e kthyet më parë, Ai do t'ju ndëshkojë me një dënim të dhembshëm."
Nuk ka gjynah për të verbrin, as për të çalin e as për të sëmurin. Atë që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai do ta fusë në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ndërkaq, atë që kthen shpinën, Ai do ta ndëshkojë me një dënim të dhembshëm.
Allahu është i kënaqur me besimtarët kur ta dhanë besën nën pemë. Ai e dinte mirë ç'kishte në zemrat e tyre, prandaj zbriti mbi ta qetësinë dhe i shpërbleu me një fitore të afërt[123]
e me plaçkë të madhe që do të zënë. Allahu është gjithnjë i Gjithëfuqishëm, i Urtë.
Allahu ju ka premtuar shumë pre që do t'i zini. Këtë jua përshpejtoi e i pengoi duart e njerëzve prej jush, që të jetë kjo një shenjë për besimtarët dhe t'ju udhëzojë në rrugën e drejtë.
Edhe (pre e fitore) të tjera që s'i keni arritur ende, të cilat i ruan Allahu (për ju). Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Edhe në qoftë se ju luftojnë jobesimtarët, patjetër do të sprapsen e pastaj nuk do të gjejnë as mbrojtës e as ndihmës.
I tillë ishte ligji i Allahut edhe më parë, e kurrë nuk do të gjesh në ligjin e Allahut asnjë ndryshim.
Është Ai që pengoi duart e tyre kundrejt jush dhe duart tuaja kundrejt tyre në brendësi të Mekës, pasi ju dha fitore kundër tyre. Allahu sheh mirë gjithçka që bëni.
Janë ata që mohuan e ju penguan nga Xhamia e Shenjtë dhe penguan kurbanet që të arrinin në vendin e vet. Sikur të mos ishin disa burra besimtarë dhe disa gra besimtare, që ju nuk i dinit, të cilët mund t'i vrisnit e të binit në faj hiç pa e ditur (do t'ju lejonte të luftonit, por ju ndaloi), në mënyrë që Allahu të fusë në mëshirën e Tij kë të dojë. Sikur ata të dalloheshin, Ne do t'i kishim ndëshkuar jobesimtarët nga mesi i tyre me një dënim të dhembshëm.
Kur zemrat e atyre që mohuan i kaploi arroganca, ajo arroganca e xhahilietit, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët e i lidhi fort me fjalën e qëndrueshmërisë[124], meqë ishin më të denjë për të dhe ishin të zotët e saj. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
Njëmend, Allahu e përmbushi me të vërtetë ëndrrën e të Dërguarit të Tij se do të hyni gjithsesi në Xhaminë e Shenjtë, me vullnetin e Allahut, të sigurt, me koka të rruara e me flokë të shkurtuar, pa pasur frikë." Ai e dinte atë që ju nuk e dinit, prandaj ju dhuroi para kësaj një fitore të afërt.
Është Ai që e çoi të Dërguarin e Tij me udhëzimin dhe fenë e vërtetë, që ta bëjë mbizotëruese mbi të gjitha fetë. Mjafton Allahu si dëshmitar.
Muhamedi është i Dërguari i Allahut, kurse ata që janë me të janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm mes vete. I sheh ata në ruku e në sexhde, duke kërkuar mirësi prej Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre duken shenjat e gjurmëve të sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat, ndërsa në Inxhil ata përshkruhen si një farë e mbjellë që nxjerr filiza, pastaj forcohet e bëhet i trashë dhe qëndron mbi kërcellin e vet, duke i mahnitur mbjellësit. (Allahu i bëri të këtillë) që përmes tyre t'i zemërojë jobesimtarët. Atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira nga mesi i tyre, Allahu u ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.

