The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThe private apartments [Al-Hujraat] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah The private apartments [Al-Hujraat] Ayah 18 Location Madanah Number 49
O ju që besoni! Mos dilni para (urdhrit të) Allahut e të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm.
O ju që besoni! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu drejtoni atij me zë të lartë, siç i drejtoheni njëri-tjetrit, që të mos ju asgjësohen veprat tuaja pa e ndier ju fare!
Njëmend, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të Allahut janë ata zemrat e të cilëve i ka kalitur Allahu për përkushtim. Për ta do të ketë falje e shpërblim të madh.
Në të vërtetë, shumica e atyre që të thërrasin prapa (mureve të) dhomave nuk kuptojnë.
Sikur të duronin derisa të dilje tek ata, do të ishte më mirë për ta. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
O ju që besoni! Po qe se një njeri i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, shqyrtojeni atë, që të mos dëmtoni ndokënd pa dije e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.
Dhe ta dini se mes jush është i Dërguari i Allahut. Po t'ju bindej juve në shumë çështje, do të pësonit. Por, Allahu jua bëri të dashur besimin dhe e zbukuroi atë në zemrat tuaja, ndërsa jua bëri të urryer mosbesimin, mosbindjen dhe kundërshtimin. Mu këta janë të udhëzuarit.
Kjo, si mirësi e dhunti nga Allahu. E, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.
Nëse dy grupe besimtarësh luftojnë ndërmjet vete, pajtojini ato. Por, nëse njëri grup sulmon tjetrin, atëherë luftoni kundër sulmuesit derisa t'i kthehet gjykimit të Allahut. Po qe se kthehet, atëherë pajtojini ata me paanësi dhe jini të drejtë, se, me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.
Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtojini vëllezërit tuaj dhe kijeni frikë Allahun, që të mëshiroheni!
O ju që besoni! Asnjë popull të mos tallet me ndonjë popull tjetër, se ata mund të jenë më të mirë se këta; as gratë të mos tallen me gra të tjera, se ato mund të jenë më të mira se këto. Mos përbuzni dhe mos thërrisni njëri-tjetrin me nofka (fyese). Sa i shëmtuar është emri i keq pas besimit! E, ata që nuk pendohen, mu ata janë të padrejtët.
O ju që besoni! Largojuni shumë paragjykimeve, sepse disa paragjykime janë gjynah. Mos gjurmoni dhe mos përgojoni njëri-tjetrin! A do të donte ndokush prej jush të hante mishin e vëllait të tij të vdekur? Gjithsesi se këtë do ta urrenit! Kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu është Pranues i pendimit e Mëshirëplotë.
O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre dhe ju bëmë popuj e fise, që të njiheni mes vete. Pa dyshim, më fisniku prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm, Njohës i çdo fshehtësie.
Beduinët thanë: "Besuam." Thuaju: "Ju nuk keni besuar, por thoni: "U nënshtruam", sepse besimi nuk ka hyrë ende në zemrat tuaja. Por, nëse i bindeni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk do t'ju pakësohet asgjë prej (shpërblimit të) veprave tuaja. Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë."
Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun e të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë, por luftojnë me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut. Pikërisht këta janë të vërtetët.
Thuaju: "Vallë, Allahut po i tregoni për fenë tuaj, ndërkohë që Allahu di gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë?! Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë."
Ata e llogarisin se të kanë bërë nder që kanë pranuar Islamin. Thuaju: "Mos e llogaritni që më keni bërë nder duke pranuar Islamin! Përkundrazi, Allahu ju ka bërë nder juve që ju ka udhëzuar në besim, nëse jeni të çiltër."
Pa dyshim, Allahu i di fshehtësitë e qiejve e të Tokës. Allahu sheh mirë gjithçka që bëni.

