عربيEnglish

The Noble Qur'an Encyclopedia

Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languages

The Table Spread [Al-Maeda] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)

Surah The Table Spread [Al-Maeda] Ayah 120 Location Madanah Number 5

O besimtarë! Mos i përdhosni shenjat e Allahut, as muajin e shenjtë, as kurbanet e Qabesë, as kurbanet e shenjuara me gjerdanë e as ata që mësyjnë Shtëpinë e Shenjtë (Qabenë) duke kërkuar begatinë dhe kënaqësinë e Zotit të vet. Kur të liroheni nga ihrami, atëherë (mund të) gjahtoni. Kurrsesi të mos ju shtyjë urrejtja ndaj disa njerëzve që ju kanë penguar nga Xhamia e Shenjtë që të bëni padrejtësi. Ndihmoni njëri-tjetrin në mirësi e devotshmëri dhe mos ndihmoni në gjynahe e armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Allahu është i rreptë në ndëshkim.

Janë ndaluar për ju: ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, kafsha që theret jo në emër të Allahut, kafsha e furur, kafsha e mbytur nga goditja, kafsha e rrëzuar nga një vend i lartë, ajo që është goditur nga briri, ajo që është kafshuar nga egërsirat, përveç asaj që e therni ju (para se të ngordhë) dhe ajo që theret për hir të idhujve, po ashtu (është ndaluar për ju) të kërkoni fatin me short. Të gjitha këto janë mosbindje. Sot, jobesimtarët i humbën shpresat (për t'ju zmbrapsur) nga feja juaj. Andaj, mos kini frikë prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Mirëpo, nëse ndokush shtrëngohet nga uria (të hajë diçka të ndaluar), pa dashur të mëkatojë, atëherë Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

O besimtarë! Kur (doni) të ngriheni për namaz, lani fytyrat dhe duart tuaja deri në bërryla dhe fërkoni kokën (me duar të lagura), si dhe lani këmbët deri në nyej. Nëse jeni xhunubë, atëherë lahuni (tërësisht)! Ndërkaq, nëse jeni të sëmurë ose jeni në udhëtim, ose keni kryer nevojën, ose keni bërë marrëdhënie me gratë tuaja e nuk gjeni ujë (për t'u pastruar), atëherë fërkoni fytyrat dhe duart tuaja me dhé të pastër. Allahu nuk dëshiron t'jua rëndojë, por dëshiron t'ju pastrojë dhe të plotësojë dhuntinë e Tij ndaj jush, që të jeni mirënjohës.

O besimtarë! Bëhuni të patundur në kryerjen e urdhrave të Allahut dhe dëshmitarë të drejtë! Kurrsesi të mos ju shtyjë urrejtja ndaj disa njerëzve që t'i shmangeni drejtësisë! Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu di hollësisht gjithçka që bëni.

Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: "Allahu është Mesihu, biri i Merjemes!" Thuaju: "Atëherë, kush do të mund ta pengonte Allahun, nëse Ai do të dëshironte të shkatërronte Mesihun - birin e Merjemes, nënën e tij dhe të gjithë ata që janë në Tokë?! Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ai krijon çfarë të dëshirojë. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.

Hebrenjtë dhe të krishterët thonë: "Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij." Thuaju: "Atëherë, përse ju ndëshkon për gjynahet tuaja?! Përkundrazi, ju jeni njerëz nga ata që ka krijuar. Ai fal kë të dojë dhe ndëshkon kë të dojë. Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet mes tyre dhe tek Ai është kthimi."

O ithtarë të Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë pas një periudhe ndërprerjeje (të vargut) të të dërguarve, i cili jua sqaron gjërat, që ju të mos thoni: "Nuk na ka ardhur asnjë përgëzues e as paralajmërues". Ja, ju erdhi përgëzuesi e paralajmëruesi. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.

Unë parapëlqej që ti të bartësh barrën e gjynahut kundrejt meje dhe të gjynaheve të tua (të mëparshme) e të bëhesh prej banorëve të Zjarrit. Ky është ndëshkimi i zullumqarëve."

Me të vërtetë, sikur jobesimtarët të kishin gjithë pasurinë që gjendet në Tokë, madje edhe një herë aq, e ta jepnin për të shpëtuar nga dënimi i Ditës së Kiametit, nuk do të pranohej prej tyre dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.

Ata do të dëshirojnë të dalin nga Zjarri, por kurrë s'kanë për të dalë prej tij. Për ta do të ketë dënim të përhershëm.

Pa dyshim, atij që pendohet pas padrejtësisë që ka bërë dhe përmirësohet, Allahu ia pranon pendimin, se, me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

O i Dërguar! Mos të të brengosin ata që me rrëmbim bien në mosbesim, të cilët thonë me gojë: "Besojmë", ndërsa zemrat e tyre nuk besojnë, e as ata që janë hebrenj, të cilët i dëgjojnë me zell gënjeshtrat dhe i dëgjojnë me zell disa të tjerë që nuk kanë ardhur te ti. Ata shtrembërojnë kuptimet e fjalëve dhe thonë: "Po qe se ju jepet (vendimi) kështu, pranojeni, e në qoftë se nuk ju jepet kështu, atëherë kini kujdes!" Për atë që Allahu dëshiron ta lërë në humbje, ti nuk mund të bësh asgjë kundrejt Allahut. Këta janë ata që Allahu nuk deshi t'ua pastronte zemrat. Për ta, në këtë botë, do të ketë poshtërim, kurse në botën tjetër do të ketë dënim të madh.

E si mund të kërkojnë ata gjykim nga ti, ndërkohë që e kanë Teuratin, në të cilin gjendet gjykimi i Allahut?! Madje, pas gjithë kësaj, ata kthejnë shpinën! Në të vërtetë, ata nuk janë besimtarë.

Në të vërtetë, Ne e kemi zbritur Teuratin në të cilin ka udhëzim dhe dritë. Sipas tij, pejgamberët që ishin të përulur (ndaj Allahut) i gjykonin hebrenjtë, po kështu (vepronin) edhe dijetarët dhe rabinët, sepse atyre u qe besuar ruajtja e Librit të Allahut dhe ishin dëshmitarë të (vërtetësisë së) tij. Pra, mos kini frikë nga njerëzit, por kini fikë nga Unë dhe mos i këmbeni Fjalët e Mia me ndonjë çmim të ulët! Ata që nuk gjykojnë sipas asaj që ka shpallur Allahu janë jobesimtarë të vërtetë.

Ne ta kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si vërtetues të librave të mëparshëm dhe si dëshmues të tyre. Andaj gjyko ndërmjet tyre me atë që ta ka shpallur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre e të shmangesh kështu nga e vërteta që të erdhi. Për çdonjërin nga ju kemi bërë ligj dhe rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t'ju kishte bërë një bashkësi të vetme, por Ai deshi t'ju sprovojë në atë që jua ka dhënë. Andaj, bëni gara në punë të mira! Të gjithë ju do të ktheheni tek Allahu e Ai do t'ju njoftojë për çështjet rreth të cilave ratë në kundërshti.

Mos vallë, gjykimin e (kohës së) paditurisë[49] e kërkojnë?! E kush gjykon më mirë se Allahu për njerëzit që besojnë me bindje?

Kushdo që merr për mbrojtës e mik Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, (le ta dijë se) pala e Allahut janë ngadhënjimtarët.

Thuaj: "O ithtarë të Librit! A na keni mëri për tjetër vetëm pse ne e besojmë Allahun, atë që na është shpallur neve e atë që ishte shpallur më parë dhe (besojmë) se shumica prej jush janë të pabindur (ndaj Allahut)?"

Thuaj: "A t'ju tregoj kush do të ketë dënim më të rëndë tek Allahu? Ata që i ka mallkuar Allahu dhe në të cilët është hidhëruar e i ka shndërruar disa nga ata në majmunë e derra dhe në adhurues të tagutëve[50]. Këta janë në vendin më të keq dhe janë më të humburit nga rruga e drejtë.

Ata menduan se nuk do të kishte ndëshkim, kështu që u bënë të verbër dhe të shurdhër. Pastaj Allahu ua pranoi atyre pendimin; por sërish shumë prej tyre u bënë të verbër dhe të shurdhër. Allahu sheh mirë gjithçka që bëjnë ata.

Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: "Allahu është Mesihu, biri i Merjemes!" Vetë Mesihu ka thënë: "O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse vërtet atij që adhuron dikë a diçka tjetër përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe strehimi i tij do të jetë Zjarri. Për të padrejtët nuk do të ketë asnjë ndihmës.

Po përse nuk kthehen me pendim tek Allahu e t'i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Thuaju: "A po adhuroni në vend të Allahut atë që nuk mund t'ju bëjë dëm e as dobi, ndërkohë që Allahu është Gjithëdëgjuesi e i Gjithëdituri?!"

Thuaj: "O ithtarë të Librit! Mos i tejkaloni kufijtë në fenë tuaj (duke dalë) përtej së vërtetës dhe mos ndiqni dëshirat e një populli që kishte rënë në humbje më parë dhe kishte çuar në humbje (edhe) shumë (të tjerë) e ishin larguar nga rruga e drejtë."

Kështu, Allahu do t'i shpërblejë për fjalët e tyre me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Ja pra, ky është shpërblimi i punëmirëve.

O besimtarë! Mos e vritni gjahun duke qenë në ihram! Kushdo nga ju që e vret gjahun me paramendim, si dënim duhet të therë si kurban në Qabe një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën që ka vrarë, për të cilën gjykojnë dy njerëz të drejtë nga mesi juaj; ose duhet të ushqejë si shpagim disa të varfër; ose të agjërojë në atë masë që ta ndiejë ndëshkimin e fajit të bërë. Allahu fal për atë që ka kaluar, porse atë që e përsërit, Allahu do ta ndëshkojë. Allahu është i Gjithëfuqishëm dhe i Zoti për hakmarrje.

Ta dini se Allahu është i rreptë në ndëshkim dhe se Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Disa njerëz para jush bënë pyetje të tilla, por më pas u bënë jobesimtarë për shkak të tyre.

Nëse zbulohet se ata kanë bërë gjynah, atëherë ata le të zëvendësohen me dy të tjerë prej atyre që janë të afërm (të të ndjerit), pastaj le të betohen në Allahun (duke thënë): "Me të vërtetë dëshmia jonë është më e drejtë se dëshmia e tyre dhe ne nuk bëjmë shkelje, përndryshe do të ishim njëmend zullumqarë."

Kujtoni ditën kur Allahu do t'i tubojë të dërguarit e do t'u thotë: "Si ju janë përgjigjur?" Ata do të thonë: "Ne nuk kemi dijeni. Ti je i Vetmi që i di të gjitha fshehtësitë."

Kur Allahu do të thotë: "O Isa, biri i Merjemes, kujto dhuntinë Time ndaj teje dhe ndaj nënës sate, se si të përforcuam me Shpirtin e Dëlirë (Xhibrilin), kështu që u flisje njerëzve që në djep, e edhe në burrëri; se si të mësova Shkrimin e Urtësinë, Teuratin dhe Inxhilin; se si krijoje diç prej baltës në formë zogu, me lejen Time, pastaj fryje në të dhe ai bëhej zog (i vërtetë), me lejen Time; se si i shëroje të verbrit dhe të lebrosurit me lejen Time; se si i ngjallje të vdekurit, me lejen Time; se si i pengova bijtë e Israilit prej teje, kur ua solle dëshmitë e qarta e jobesimtarët nga mesi i tyre thanë: "Kjo s'është tjetër veçse magji e kulluar";

dhe se si i frymëzova nxënësit (dishepujt): "Besoni në Mua dhe në të dërguarin Tim!" Ata thanë: "Ne besojmë, andaj dëshmo se ne jemi muslimanë (të nënshtruar ndaj Teje)!"

Kujto kur Allahu do të thotë: "O Isa, biri i Merjemes! Vallë, ti u the njerëzve: "Më merrni mua dhe nënën time si dy hyjni krahas Allahut?!" Ai (Isai) do të thotë: "Ti je i patëmeta! Mua nuk më takon të them diçka për të cilën nuk kam aspak të drejtë. Po t'u kisha thënë ashtu, Ti, me siguri, do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, kurse unë nuk e di çfarë ka në Qenien Tënde. Ti je i Vetmi që i di të gjitha fshehtësitë.

Allahu do të thotë: "Kjo është dita në të cilën të çiltërve do t'u sjellë dobi çiltërsia e tyre. Për ta ka kopshte të Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është fitorja madhështore."