The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThe Iron [Al-Hadid] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah The Iron [Al-Hadid] Ayah 29 Location Madanah Number 57
Allahun e lartëson çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë. Ai është i Gjithëfuqishmi, i Urti.
Atij i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Ai jep jetë e vdekje dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Ai është i Pari dhe i Mbrami, i Dukshmi dhe i Padukshmi. Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
Ai është që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Arsh (Fron). Ai e di çfarë hyn në tokë dhe çka del prej saj, çka zbret nga qielli dhe çka ngjitet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu sheh mirë gjithçka që bëni.
Atij i takon sundimi i qiejve e i Tokës dhe tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.
Ai fut natën në ditë dhe fut ditën në natë. Ai e di mirë çfarë ka në zemra.
Besoni Allahun e të Dërguarin e Tij dhe jepni nga ajo që Ai jua ka lënë në pronësi, sepse ata nga ju që besojnë dhe japin, do të kenë shpërblim të madh.
Ç’keni që nuk e besoni Allahun, ndërkohë që i Dërguari ju thërret të besoni Zotin tuaj, e Ai ka marrë besën prej jush, nëse vërtet jeni besimtarë?
Ai është që i zbriti robit të Vet ajete të qarta për t’ju nxjerrë nga errësirat në dritë. Me të vërtetë, Allahu është i Dhembshur e Mëshirëplotë ndaj jush.
Ç’keni që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut, ndërkohë që Allahut i takon trashëgimia e qiejve dhe e Tokës? Nuk janë të barabartë ata prej jush që shpenzuan dhe luftuan para Çlirimit (të Mekës) me ata që shpenzuan e luftuan më pas; të parët kanë shkallë më të lartë. Por, të gjithëve Allahu u ka premtuar shpërblimin më të mirë. Allahu e di mirë atë që bëni.
Kush është ai që do t'i japë Allahut ndonjë hua të mirë, që Ai t'ia shtojë atë shumëfish? E për të do të ketë shpërblim bujar.
Ditën kur do t’i shohësh besimtarët e besimtaret duke u ndriçuar drita përpara dhe në të djathtë të tyre (e do t’u thuhet): "Përgëzim për ju sot janë kopshtet e Xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë, ku do të qëndroni përgjithmonë! Kjo është fitorja e madhe."
Atë Ditë, dyfytyrëshit e dyfytyrëshet do t'u thonë besimtarëve: “Na pritni, që të marrim pak nga drita juaj!" Por, atyre do t’u thuhet: "Kthehuni mbrapa e kërkoni dritë!" Atëherë, ndërmjet tyre do të vihet një mur, që ka një port: brenda saj është mëshira, kurse jashtë saj dënimi.
Ata do të thërrasin: "A nuk ishim edhe ne me ju?" Do t'u përgjigjen: Po, por ju e shkatërruat veten, pritët (të mundeshin besimtarët), dyshuat dhe u mashtruat nga shpresat e kota, derisa erdhi urdhri i Allahut dhe ju mashtroi kryemashtruesi (shejtani) ndaj Allahut."
Prandaj, sot nuk pranohet shkëmbesë as nga ju e as nga ata që mohuan. Vendbanimi juaj është Zjarri. Aty e keni vendin ju. Eh, sa vendbanim i keq që është ai!
A nuk ka ardhur koha për ata që besuan, që zemrat e tyre të përulen para përmendjes së Allahut dhe para së vërtetës që ka zbritur e të mos bëhen si ata që iu dha Libri më parë, të cilëve u kaloi kohë e gjatë[129] dhe iu ngurtësuan zemrat?! Shumica e tyre janë të pabindur.
Dijeni se Allahu e gjallëron tokën pasi të jetë tharë. Ne jua kemi shpjeguar shenjat, që të kuptoni.
Njëmend, bamirësve dhe bamirëseve që i japin Allahut një hua të mirë do t'u shumëfishohet fitimi dhe do të kenë shpërblim bujar.
Ata që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij, mu ata janë besnikët. E dëshmorët do të kenë te Zoti i tyre shpërblimin dhe dritën e vet. Ndërkaq, ata që nuk besuan dhe i përgënjeshtruan ajetet Tona, pikërisht ata janë banorët e Zjarrit flakërues.
Dijeni se jeta e kësaj bote është vetëm lojë, dëfrim, zbukurim, mburrje ndërmjet jush dhe garë për shtimin e pasurisë dhe fëmijëve. Ajo i ngjan një shiu, prej të cilit bima i mahnit bujqit, por më vonë ajo thahet dhe e sheh sesi zverdhet dhe më pas bëhet byk. Në botën tjetër ka dënim të ashpër, por edhe falje e kënaqësi prej Allahut. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse një përjetim mashtrues.
Garoni për të fituar falje nga Zoti juaj dhe një Xhenet, gjerësia e të cilit është sa qielli dhe Toka, i përgatitur për ata që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij. Kjo është mirësia e Allahut që Ai ia jep kujt të dojë e Allahu është Zotëruesi i mirësisë së madhe.
S'ka fatkeqësi që ju godet në tokë ose në veten tuaj, që të mos jetë e shënuar në një Libër[130], para se ta krijojmë atë, – e kjo për Allahun është e lehtë, –
që të mos dëshpëroheni për atë që ju ikën dhe të mos gëzoheni tepër për atë që Ai jua jep. Allahu nuk i do ata që janë mendjemëdhenj e mburravecë,
të cilët tregohen koprracë dhe kërkojnë edhe nga njerëzit që të jenë dorështrënguar. E kush kthen shpinën, le ta dijë se Allahu është njëmend i Panevoji, i Lavdëruari.
Ne çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm edhe Librat (e shenjtë) dhe peshoren, që njerëzit të punojnë me drejtësi, si dhe e zbritëm hekurin, në të cilin ka forcë të madhe dhe përfitime për njerëzit, që Allahu të nxjerrë në shesh ata që e ndihmojnë Atë dhe të dërguarit e Tij pa e parë Atë. Me të vërtetë, Allahu është i Fortë e i Gjithëfuqishëm.
Ne e dërguam Nuhun e Ibrahimin dhe pasardhësve të tyre u dhamë pejgamberinë dhe Librin. Prej tyre pati të udhëzuar, por shumë prej tyre ishin të pabindur.
Pastaj, ne vazhduam me të dërguarit Tanë, mandej dërguam Isain, birin e Merjemes, të cilit i dhamë Inxhilin dhe në zemrat e atyre që e ndoqën atë vumë dhembshuri e mëshirë. Ndërkaq, murgërinë e shpikën vetë, – Ne nuk ua urdhëruam, – por e shpikën duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, e megjithatë nuk e ruajtën ashtu siç duhej. Atyre që besuan nga mesi i tyre ua dhamë shpërblimin e merituar, por shumë prej tyre janë të pabindur.
O ju (ithtarë të Librit) që keni besuar, kini frikë Allahun dhe besoni të Dërguarin e Tij, që Ai t’ju dhurojë mëshirë të dyfishtë, t’ju japë dritë me të cilën do të ecni dhe t’ju falë! Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
Pra, le ta dinë ithtarët e Librit se ata nuk kanë kurrfarë pushteti mbi mirësinë e Allahut, sepse e gjithë mirësia është në Dorën e Allahut. Ai ia jep atë kujt të dojë. Allahu është Zotëruesi i mirësisë së madhe.

