عربيEnglish

The Noble Qur'an Encyclopedia

Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languages

The cattle [Al-Anaam] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)

Surah The cattle [Al-Anaam] Ayah 165 Location Maccah Number 6

Është Ai që ju krijoi prej baltës e pastaj caktoi një afat (për ju në këtë botë) dhe një afat tjetër tek Ai (për ringjallje), por ju përsëri dyshoni[56].

Ai është Allahu (i Vetmi që adhurohet me të drejtë) në qiej e në Tokë. Ai i di ato që i fshihni e ato që i shfaqni dhe e di çfarë bëni.

Edhe sikur të të zbritnim ty një Libër të shkruar në letër e ta preknin me duart e veta, jobesimtarët me siguri do të thoshin: "Kjo s'është gjë tjetër veçse magji e kulluar."

Po ashtu thanë: "Sikur t'i kishte zbritur një melek!" Mirëpo, sikur të zbrisnim ndonjë melek, çështja do të merrte fund dhe nuk do t'u jepej afat (për t'u penduar).

Edhe sikur ta bënim (të dërguarin) melek, do ta bënim burrë dhe do t'ua shkaktonim të njëjtat mëdyshje që u janë shkaktuar.

Atij i përket gjithçka që pushon natën e ditën dhe Ai është Gjithëdëgjuesi e i Gjithëdituri.

Thuaj: "Unë i druhem dënimit të një Dite të Madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim."

Atë që i shpëton atij (dënimi) në atë Ditë, vërtet e ka mëshiruar Allahu. Kjo është fitorja e vërtetë.

Nëse nga Allahu të godet ndonjë fatkeqësi, atëherë nuk do të mund të ta largojë atë askush përveç Tij, e, nëse të dhuron ndonjë mirësi, atëherë Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.

Ai është Sunduesi i Gjithëfuqishëm sipër robërve të Tij dhe Ai është i Urti e i Gjithëdituri.

Thuaj: "Cila është dëshmia më e madhe?" Përgjigju: "Allahu është Dëshmitar mes meje dhe jush. Mua më është shpallur ky Kuran që përmes tij t'jua tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i kumtohet. Mos vallë ju dëshmoni se krahas Allahut ka edhe zota të tjerë (të denjë për adhurim)?!" Thuaju: "Unë nuk dëshmoj." Thuaj: "Me të vërtetë, Ai është Zoti i Vetëm i Vërtetë dhe unë jam i pastër nga gjithçka që ju i shoqëroni Atij."

E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose i përgënjeshtron ajetet e Tij? Me të vërtetë, zullumqarët nuk do të shpëtojnë.

Kujto Ditën kur do t'i tubojmë të gjithë dhe pastaj do t'u themi atyre që adhuronin të tjerë përveç Allahut: "Ku janë të adhuruarit tuaj për të cilët thoshit se ishin ortakë të Allahut?!"

Pastaj, nuk kishin shfajësim tjetër veçse të thoshin: "Betohemi në Allahun, në Zotin tonë, se ne nuk ishim idhujtarë."

Ata pengojnë (njerëzit) prej tij (Kuranit) dhe largohen nga ai, por në të vërtetë ata e shkatërrojnë vetëm vetveten, pa e ndier fare.

Jo, por atyre u doli në shesh ajo që fshihnin më parë. Edhe nëse do të ktheheshin, sërish do të bënin gjërat që u ishin ndaluar. Ata janë vërtet gënjeshtarë.

Sikur t'i shihje kur të dalin para Zotit të tyre! Ai do t'u thotë: "A nuk është kjo (ringjallje) e vërtetë?" Ata do të thonë: "Po, për Zotin tonë." Ai do t'u thotë: "Atëherë, shijoni dënimin për shkak se e mohonit!"

Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse lojë e dëfrim, kurse bota tjetër, pa dyshim, është shumë më e mirë për ata që i frikësohen Allahut. Pra, a nuk po mendoni?

Thuaj: "Më thoni. Nëse ju godet dënimi i Allahut ose ju vjen Ora e Kiametit, a do të lutnit (për ndihmë) dikë tjetër përveç Allahut, nëse e thoni të vërtetën?!"

Përkundrazi! Atë do ta lutnit, ndërsa Ai do t'jua largonte atë (sprovë) për të cilën e lutnit, nëse do të donte, dhe ju do t'i harronit ata që ia shoqëronit Atij (në adhurim).

Paralajmëroji me këtë (Kuran) ata që i frikësohen tubimit para Zotit të tyre, përveç të Cilit nuk kanë mbrojtës e as ndërmjetës, në mënyrë që të kenë frikë (nga Allahu)!

Thuaj: "Unë jam në një udhëzim të qartë nga Zoti im, ndërsa ju e përgënjeshtroni atë. Nuk është në dorën time ajo që e kërkoni me ngut. Vendimi i takon vetëm Allahut. Ai e thotë të vërtetën dhe Ai është Gjykuesi më i mirë."

Ai është Sunduesi i Gjithëfuqishëm sipër robërve të Tij. Ai ju dërgon rojtarë (melekë). Kur ndonjërit prej jush i vjen vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit tanë, duke mos bërë kurrfarë lëshimi.

Pastaj ata do të kthehen tek Allahu, Mbrojtësi i tyre i vërtetë. Vini re! Vetëm Atij i takon gjykimi dhe Ai është llogaritësi më i shpejtë.

Thuaj: "Allahu ju shpëton nga ato dhe nga çdo brengë tjetër, por megjithëkëtë ju adhuroni të tjerë përveç Tij."

Atë (Kuranin) e përgënjeshtroi populli yt, megjithëqë ai është i vërtetë. Thuaj: "Unë nuk jam mbikëqyrësi juaj."

Ata që i frikësohen Allahut nuk kanë përgjegjësi për ta, por vetëm t'ua kujtojnë, në mënyrë që të kenë frikë (nga Allahu).

Lëri ata që fenë e tyre e marrin si lojë e argëtim dhe që mashtrohen nga jeta e kësaj bote! Këshillo me Kuran, që të mos humbasin veten për shkak të veprave të veta (të këqija). Ata, përveç Allahut, nuk do të kenë mbrojtës e as ndërmjetës. Edhe nëse ofrojnë çdo lloj shpagimi (për të shpëtuar nga dënimi), nuk do t'u pranohet. Ata do t'i vuajnë pasojat e asaj që kanë punuar. Për ta do të ketë pije të vluar dhe dënim të dhembshëm për shkak se nuk besonin.

Thuaj: "A të lusim në vend të Allahut ata që nuk na bëjnë dobi e as dëm e të sprapsemi (duke u kthyer në mosbesim) pasi na ka udhëzuar Allahu, sikurse ai që është tunduar nga shejtanët e ka mbetur i hutuar në tokë, megjithëqë ai ka shokë që e thërrasin në rrugë të drejtë (duke thënë): "Eja me ne!?!" Thuaj: "Pa dyshim, udhëzimi i Allahut është udhëzimi i vërtetë dhe ne jemi urdhëruar t'i nënshtrohemi Zotit të botëve,

Kur pa Diellin duke lindur, tha: "Ky është zoti im! Ky qenka më i madh!" Mirëpo, kur perëndoi, tha: "O populli im, unë jam i pastër nga gjithçka që i shoqëroni Allahut (në adhurim).

E si të frikësohem nga ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, ndërkohë që ju nuk keni frikë të adhuroni të tjerë përveç Allahut, gjë për të cilën nuk ju ka zbritur asnjë dëshmi. Pra, cili grup meriton të jetë më i sigurt, nëse e dini?!"

Kjo është prova jonë të cilën ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të vet. Ne ngremë në shkallë të larta atë që duam. Me të vërtetë, Zoti yt është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.

Ky është udhëzimi i Allahut, me të cilin përudh këdo që dëshiron nga robërit e Vet. Mirëpo, nëse adhurojnë të tjerë në vend të Allahut, do t'u asgjësohen veprat që i bëjnë.

Ata nuk e madhëruan Allahun ashtu siç e meriton, kur thanë: "Allahu nuk i ka zbritur asgjë njeriut." Thuaj: "Atëherë, kush e zbriti Librin që e solli Musai si dritë dhe udhërrëfyes për njerëzit?! Ju e keni shpërndarë atë në fletë, disa prej të cilave i shfaqni, kurse shumicën i fshihni, ndonëse tani keni mësuar diçka që as ju, as etërit tuaj nuk e keni ditur më parë?!" Thuaj: "Allahu (e zbriti atë)! Pastaj lëri ata që të dëfrehen me gënjeshtrat e tyre."

Ky është një Libër i bekuar që e kemi zbritur për të vërtetuar atë që ishte më parë dhe për të paralajmëruar qytetin mëmë (Mekën) dhe ata që janë përreth saj. Ata që besojnë në botën tjetër, besojnë edhe në këtë (Kuran) dhe janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre.

Me të vërtetë, Allahu është Ai që bën farën dhe bërthamën të mbijë. Ai e nxjerr të gjallën prej së vdekurës dhe nxjerr të vdekurën prej së gjallës. Pra, ky është Allahu. Atëherë, përse shmangeni?!

Ai bën të shkëlqejë drita e agimit. Ai e bëri natën për pushim, kurse Diellin dhe Hënën për të llogaritur kohën. Ky është përcaktimi i të Gjithëfuqishmit, të Gjithëdijshmit.

Megjithatë, ata i shohin xhinët si ortakë të Allahut, ndonëse Ai i ka krijuar ata. Po ashtu, ata i veshin Allahut djem e vajza, pa pasur dijeni. I patëmeta dhe i Lartësuar është Allahu mbi çdo gjë që i veshin ata.

Pra, Ky është Allahu, Zoti juaj! S'ka zot që adhurohet me të drejtë përveç Tij. Ai është Krijuesi i çdo gjëje, prandaj vetëm Atë adhurojeni! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.

(Thuaju, o Muhamed): "Juve ju kanë ardhur tashmë prova të qarta nga Zoti juaj. Kush i sheh ato, e ka për vete, e kush bëhet i verbër, i bën dëm vetes. Unë nuk jam rojtar juaji."

Kështu i shtjellojmë Ne ajetet në mënyra të ndryshme, që ata të thonë: "Ti i ke mësuar këto!" dhe që t'ua sqarojmë ato njerëzve që dinë.

Sikur të donte Allahu, ata nuk do t'i shoqëronin Atij asgjë (në adhurim). Ne nuk të kemi bërë ty rojtar të tyre e as që je përgjegjës për ta.

Kështu, çdo pejgamberi Ne i kemi caktuar armiq shejtanët e njerëzve dhe të xhinëve, të cilët i pëshpëritin njëri-tjetrit fjalë të zbukuruara për t'i mashtruar. Sikur të kishte dashur Zoti yt (që të mos e bënin), ata nuk do ta bënin atë; prandaj lëri ata dhe trillimet e tyre.

(Vepruam kështu) në mënyrë që zemrat e atyre që nuk besojnë në botën tjetër të anojnë nga ajo dhe të jenë të kënaqura me të dhe të bëjnë atë që bëjnë.

Fjala e Zotit tënd është e përsosur në vërtetësi e drejtësi. Askush nuk mund t'i ndryshojë fjalët e Tij. Ai është Gjithëdëgjuesi dhe i Gjithëdijshmi.

S'ka dyshim se Zoti yt e di më së miri se kush është larguar nga rruga e Tij dhe i di më së miri të udhëzuarit.

E përse të mos hani nga ajo që theret me emrin e Allahut, kur Ai jua ka shpjeguar hollësisht atë që është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar? Në të vërtetë, shumë njerëz i çojnë të tjerët në humbje me dëshirat e tyre, pa kurrfarë dijeje. Zoti yt i njeh më së miri ata që i kalojnë kufijtë.

E kur atyre u vjen ndonjë shenjë, thonë: "Ne nuk do të besojmë derisa të na jepet ajo që u është dhënë të dërguarve të Allahut." Allahu e di më së miri kujt t'ia japë shpalljen e Tij. Ata që bënin keq do t'i godasë një poshtërim nga Allahu dhe një dënim i ashpër për shkak të kurtheve që ngrinin.

Për ta është Shtëpia e Paqes te Zoti i tyre dhe Ai është Mbrojtësi i tyre, (si shpërblim) për veprat që bënin.

Ditën kur Allahu do t'i tubojë të gjithë, do të thotë: "Oj shoqëri e xhinëve! Ju keni mashtruar shumë njerëz." Ndërkaq, miqtë e tyre nga mesi i njerëzve do të thonë: "Zoti ynë! Ne përfituam nga njëri-tjetri dhe e arritëm afatin që na e ke caktuar." Allahu do të thotë: "Zjarri është vendbanimi juaj, ku do të qëndroni përgjithmonë, përveç aq sa dëshiron Allahu. Me të vërtetë, Zoti yt është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.

Kjo është kështu, sepse Zoti yt nuk shkatërron asnjë vend për shkak të padrejtësive të bëra, pa i paralajmëruar banorët e tij.

Secili do të ketë shkallën sipas veprave që ka bërë, sepse Zoti yt nuk është i shkujdesur ndaj asaj që bëjnë ata.

Vërtet, ajo që ju është premtuar do të vijë patjetër e ju nuk do të mund t'i shpëtoni asaj.

Thuaj: "O populli im! Vazhdoni ju të bëni atë që jeni duke bërë, e unë po e bëj timen. Së shpejti do ta merrni vesh se kujt do t'i takojë fundi i mirë. Me të vërtetë, keqbërësit nuk do të gjejnë shpëtim."

Ata kanë caktuar për Allahun një pjesë nga drithi dhe kafshët shtëpiake që Ai i krijoi, duke thënë: "Kjo është për Allahun", - siç pandehin ata, - "ndërsa kjo është për idhujt tanë." Mirëpo pjesa e caktuar për idhujt e tyre nuk arrin tek Allahu, kurse ajo që është caktuar për Allahun arrin tek idhujt e tyre. Sa i shëmtuar që është gjykimi i tyre!

Ata thonë: "Këto bagëti dhe të korra janë të ndaluara, nuk mund t'i hajë askush, përveç atyre që dëshirojmë ne", - siç pohojnë ata. Disa bagëtive u ndalohet kurrizi[61] dhe disa bagëti i therin pa e përmendur emrin e Allahut, duke sajuar gënjeshtra për Të. Ai do t'i ndëshkojë ata për trillimet e tyre.

Ata thonë gjithashtu: "Ajo që gjendet në barqet e këtyre bagëtive është vetëm për meshkujt tanë, ndërkohë që është e ndaluar për femrat tona. Mirëpo, nëse lind e ngordhur, të gjithë do të kenë pjesë në të. Ai do t'i ndëshkojë ata për sajimet e tyre. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.

Me të vërtetë të humbur janë ata që vranë fëmijët e tyre nga mendjelehtësia e padija dhe e bënë të ndaluar atë që ua ka dhënë Allahu, duke trilluar gënjeshtra për Allahun. Njëmend, ata kanë humbur rrugën dhe nuk janë të udhëzuar.

Thuaj: "Unë nuk gjej në atë që më është shpallur asgjë të ndaluar për të ngrënë, përveç ngordhësirës, gjakut të rrjedhshëm, mishit të derrit, – të cilat janë të papastra, – dhe kurbanit që theret në emër të dikujt tjetër përveç Allahut. Mirëpo, nëse ndokush detyrohet të hajë diçka prej tyre, pa dashur të mëkatojë dhe pa i kaluar kufijtë, atëherë Zoti yt është Falës i Madh e Mëshirues.

E, nëse ata të quajnë gënjeshtar (o Muhamed), atëherë thuaju: "Zoti juaj është zotërues i mëshirës së gjerë, por ndëshkimi i Tij ndaj keqbërësve nuk mund të zmbrapset."

Thuaj: "Vetëm Allahu ka dëshminë e prerë. Po të donte Ai, do t'ju udhëzonte të gjithë në rrugën e drejtë."

Ky është një libër i bekuar që Ne e kemi shpallur, andaj ndiqeni atë dhe druani kundërshtimit, që të mëshiroheni.

(E shpallëm Kuranin) që të mos thoni: "Shkrimet e shenjta u janë shpallur vetëm dy bashkësive para nesh (hebrenjve dhe të krishterëve), ndërsa ne nuk dinim çfarë mësonin ata."

Thuaj: "Vërtet, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, të gjitha janë për Allahun, Zotin e botëve.

Është Ai që ju bëri pasardhës (të njëri-tjetrit) në tokë dhe ngriti në shkallë disa nga ju mbi të tjerët, për t'ju provuar në atë që ju ka dhënë. Me të vërtetë, Zoti yt është i shpejtë në ndëshkim dhe është Falës i Madh e Mëshirëplotë.