The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesShe that is to be examined [Al-Mumtahina] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah She that is to be examined [Al-Mumtahina] Ayah 13 Location Madanah Number 60
O ju që besoni! Mos i merrni armiqtë e Mi dhe armiqtë tuaj për miq, duke u shfaqur atyre dashuri, ndërkohë që ata kanë mohuar të vërtetën që ju ka ardhur dhe kanë dëbuar të Dërguarin dhe ju, vetëm pse e besoni Allahun, Zotin tuaj. Nëse keni dalë për të luftuar në rrugën Time dhe për të kërkuar kënaqësinë Time, mos i merrni ata për miq duke u shprehur dashuri fshehurazi, sepse Unë e di mirë çfarë fshihni dhe çfarë shfaqni haptazi. E kush prej jush e bën këtë, është shmangur nga rruga e drejtë.
Nëse ju kapin, ata do të jenë armiq tuajt e do t'i zgjasin duart dhe gjuhët e tyre kundër jush me keqdashje dhe do të dëshironin që ju të bëheshit jobesimtarë.
Nuk do t’ju bëjnë dobi as të afërmit e as fëmijët tuaj. Ditën e Kiametit Allahu do të gjykojë mes jush. Allahu sheh mirë gjithçka që bëni.
Ju keni shembull të shkëlqyer tek Ibrahimi dhe tek ata që ishin me të, kur i thanë popullit të tyre: “Ne jemi larguar nga ju dhe nga ajo që adhuroni në vend të Allahut. Ne mohojmë besimin tuaj dhe midis nesh e jush është shfaqur armiqësia dhe urrejtja e përhershme, derisa ta besoni vetëm Allahun.” – Me përjashtim të fjalës së Ibrahimit, thënë babait të vet: "Unë do të kërkoj falje për ty, ndonëse nuk kam asgjë në dorë për ty tek Allahu." – "Zoti ynë, Ty të mbështetemi, te Ti pendohemi dhe te Ti është kthimi.
Zoti ynë! Mos na bëj sprovë për ata që nuk besojnë dhe na fal ne, o Zoti ynë! Vërtet, Ti je i Gjithëfuqishmi, i Urti.”
Pra, tek ata ka një shembull të shkëlqyer për ju – për këdo që ka shpresë tek Allahu e Dita e Fundit. E kush e kthen shpinën, le ta dijë se Allahu është i Panevoji, i Lavdëruari.
Mund të ndodhë që Allahu të vendosë dashuri mes jush dhe atyre me të cilët keni armiqësi.[135] Allahu është i Plotfuqishëm. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
Allahu nuk ju ndalon të silleni me mirësi e me drejtësi ndaj atyre që nuk ju luftuan për shkak të fesë dhe nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.
Allahu ju ndalon vetëm që të merrni për miq ata që ju luftuan për shkak të fesë, ju dëbuan nga shtëpitë tuaja dhe ndihmuan në dëbimin tuaj. Ata që i marrin të tillët për miq, vërtet janë zullumqarë.
O ju që besoni! Kur të vijnë te ju besimtaret si muhaxhire, vërini në provë, ndonëse Allahu e di më mirë besimin e tyre! Nëse i gjykoni si besimtare, mos i ktheni më te jobesimtarët, sepse ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to. Jepuani atyre (jobesimtarëve) atë që kanë dhënë (si mehër). Nuk ka gjynah për ju të martoheni me to, pasi t’ua jepni mehrin. Mos i mbani në martesë gratë jobesimtare! Kërkoni atë që keni dhënë, e edhe ata (jobesimtarët) le të kërkojnë atë që kanë dhënë. Ky është gjykimi i Allahut, Ai gjykon mes jush. Allahu është i Gjithëdijshëm e i Urtë.
Nëse ndonjëra prej grave tuaja ikën te jobesimtarët e më pas ju merrni plaçkë lufte prej tyre, atëherë jepuni atyre (besimtarëve) që u kanë ikur gratë aq sa kanë shpenzuar (si mehër). Kijeni frikë Allahun, të Cilin e besoni!
O Pejgamber! Kur të vijnë te ti gratë besimtare për të ta dhënë besën se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë në adhurim, nuk do të vjedhin, nuk do të bëjnë kurvëri, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sajojnë ndonjë trillim, duke u veshur bashkëshortëve ndonjë fëmijë të huaj, dhe nuk do të të kundërshtojnë ty në atë që është e drejtë, atëherë prano besën e tyre dhe lute Allahun që t’i falë ato. Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
O ju që besoni! Mos i bëni miq njerëzit me të cilët Allahu është zemëruar! Ata e kanë humbur shpresën për botën tjetër, ashtu siç kanë humbur shpresën jobesimtarët për banorët e varreve.

