The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesDivorce [At-Talaq] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah Divorce [At-Talaq] Ayah 12 Location Madanah Number 65
O Pejgamber! Kur t’i ndani gratë, ndajini ato gjatë kohës së lejuar për këtë[138] dhe llogariteni mirë periudhën e pritjes. Kijeni frikë Allahun, Zotin tuaj! Mos i nxirrni ato nga shtëpitë e veta e as ato të mos dalin, përveçse nëse bëjnë ndonjë paturpësi të qartë. Këta janë kufijtë e Allahut. E kush i shkel kufijtë e Allahut, i ka bërë padrejtësi vetvetes. Ti nuk e di, ndoshta Allahu sjell pas kësaj ndonjë çështje të re.
Kur t'u afrohet fundi i kohës së pritjes, ose mbajini si duhet, ose ndajini në mënyrë të hijshme dhe merrni dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj dhe përmbajuni dëshmisë për hir të Allahut! Kjo këshillë vlen për çdonjërin që e beson Allahun dhe Ditën e Fundit. Atij që i frikësohet Allahut, Ai i hap rrugëdalje
dhe e furnizon prej nga nuk e pret. Atij që i mbështetet Allahut, Ai i mjafton. Allahu përmbush vendimin e Vet. Allahu ka përcaktuar masën për çdo gjë.
Nëse dyshoni për ato gra që u janë ndërprerë të përmuajshmet, koha e pritjes së tyre është tre muaj, ashtu si edhe për ato që nuk u kanë ardhur ende të përmuajshmet. Ndërkaq, afati i shtatzënave është deri në lindje. Atij që i frikësohet Allahut, Ai ia lehtëson çështjen.
Këto janë vendimet që Allahu i ka zbritur për ju. Atij që i frikësohet Allahut, Ai ia shlyen të këqijat dhe ia shton shpërblimin.
Gratë e ndara le të banojnë aty ku banoni ju[139], sipas mundësive tuaja, dhe mos u bëni dëm për t'i detyruar (të largohen). Nëse janë shtatzëna, atëherë shpenzoni për to derisa të lindin. Në qoftë se ato i ushqejnë me gji fëmijët tuaj, jepuani atyre shpërblimin dhe merruni vesh me të mirë. E, nëse nuk hasni në mirëkuptim, atëherë le t'i ushqejë me gji ndonjë grua tjetër.
I pasuri le të shpenzojë sipas mundësive të tij, ndërsa i varfri le të shpenzojë nga ajo që i ka dhënë Allahu. Allahu nuk e ngarkon askënd përtej asaj që i ka dhënë. Pas vështirësisë, Allahu sjell lehtësimin.
Sa e sa qytete që kundërshtuan urdhrat e Allahut dhe të dërguarve të Tij i morëm në llogari të rëndë dhe i ndëshkuam me dënim të ashpër.
Ata shijuan pasojat e veprimeve të veta dhe fundi i tyre qe shkatërrim.
Allahu ka përgatitur për ta dënim të rëndë. Prandaj, kini frikë Allahun, o njerëz të mençur që keni besuar! Allahu jua dërgoi këshilluesin:
një të dërguar që jua lexon ajetet e Allahut që janë të qarta, për të nxjerrë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira nga errësirat në dritë. Atë që e beson Allahun dhe bën vepra të mira, e fut në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të jetë përgjithmonë. Allahu i ka përgatitur atij rrizk të këndshëm.
Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe po aq toka. Vendimi i Tij zbret ndërmjet tyre, që ta dini se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë dhe se Allahu ka përfshirë gjithçka me diturinë e Tij.

