The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThe Sovereignty [Al-Mulk] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah The Sovereignty [Al-Mulk] Ayah 30 Location Maccah Number 67
I bekuar është Ai, në Dorën e të Cilit është tërë pushteti dhe që është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Ai krijoi vdekjen e jetën për t'ju provuar se cili nga ju është më punëmirë. Ai është i Gjithëfuqishmi, Falësi i Madh.
Ai krijoi shtatë qiej, palë-palë. Në krijimin e të Gjithëmëshirshmit nuk mund të shohësh asnjë mangësi. Hidhe shikimin: a sheh ndonjë të çarë?
Pastaj hidhe shikimin radhazi; do të të kthehet shikimi i dështuar e i lodhur.
Në të vërtetë, Ne e zbukuruam qiellin më të afërt me yje ndriçuese dhe i bëmë gjuajtëse kundër shejtanëve, për të cilët kemi përgatitur dënimin e Zjarrit flakërues.
Ndërkaq, për ata që mohojnë Zotin e tyre është dënimi i Xhehenemit. Eh, sa vendbanim i keq që është ai!
Kur të hidhen në të, do të dëgjojnë ushtimën e tij të tmerrshme, ndërsa vlon.
Gati sa nuk shpërthen nga zemërimi. Sa herë që aty të hidhet një grup, rojtarët e saj do t’u thonë: "A nuk ju erdhi asnjë paralajmërues?!"
Ata do të thonë: "Po, na erdhi një paralajmërues, por ne e përgënjeshtruam e thamë: "Allahu nuk ka shpallur asgjë, ndërsa ju jeni në një humbje të madhe!"
Dhe do të thonë: "Sikur të kishim dëgjuar e të kishim pasur mend, nuk do të ishim ndër banorët e Zjarrit flakërues!"
Pra, ata do ta pranojnë fajin e tyre. Andaj, larg (mëshirës së Zotit) qofshin banorët e Zjarrit flakërues!
Me të vërtetë, për ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh.
Flitni fshehtas po deshët ose haptas, s'ka dyshim se Ai di mirë çfarë ka në zemra.
E si të mos e dijë Ai që krijoi gjithçka, kur Ai është i Buti e i Gjithëdituri?!
Ai e bëri Tokën të përshtatshme për ju; prandaj ecni nëpër viset e saj dhe hani nga furnizimi i Tij. Tek Ai është kthimi.
A ndiheni të sigurt se Ai që është në qiell nuk do ta bëjë tokën t’ju përpijë, kur ajo të dridhet papritur?
Apo ndiheni të sigurt se Ai që është në qiell nuk do të lëshojë kundër jush rrebesh gurësh? Atëherë do të kuptoni ç'është paralajmërimi Im!
Edhe ata që qenë para tyre patën përgënjeshtruar. Eh, si ishte dënimi Im!
A nuk i shohin shpendët sipër tyre se si i hapin e i mbyllin krahët? Ata i mban vetëm i Gjithëmëshirshmi. Vërtet, Ai sheh çdo gjë.
E cila na qenka ajo ushtri që mund t'ju mbrojë prej të Gjithëmëshirshmit?! Në të vërtetë, jobesimtarët gjenden në mashtrim.
Kush është ai që mund t'ju furnizojë, nëse Ai jua ndalon rrizkun? Por, ata këmbëngulin në kryeneçësi e largim.
A është më i udhëzuar ai që ecën me fytyrë përtokë apo ai që ecën drejt në rrugën e drejtë?
Është Ai që ju krijoi e jua dha të dëgjuarit, shikimin dhe zemrat. Sa pak që falënderoni!
Thuaju: "Është Ai që ju shpërndau në Tokë dhe tek Ai do të tuboheni."
Ata thonë: "Kur do të përmbushet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?"
Thuaju: "Dija për këtë është vetëm tek Allahu, kurse unë jam vetëm një paralajmërues i qartë."
Kur të shohin dënimin për së afërmi, fytyrat e atyre që nuk besuan do të zymtohen dhe do t'u thuhet: "Ja, kjo është ajo që e kërkonit me ngulm!"
Thuaju: "Pa më thoni, nëse Allahu më shkatërron mua dhe ithtarët e mi ose na mëshiron, atëherë kush mund t'i shpëtojë jobesimtarët nga dënimi i dhembshëm?!"
Thuaj: "Ai është i Gjithëmëshirshmi; Atë e besojmë dhe Atij i mbështetemi e ju do ta merrni vesh se kush është në humbje të qartë."
Thuaj: "Më tregoni: nëse uji juaj shteret, kush mund t'ju sjellë ujë që buron?!"

