عربيEnglish

The Noble Qur'an Encyclopedia

Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languages

The heights [Al-Araf] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)

Surah The heights [Al-Araf] Ayah 206 Location Maccah Number 7

Elif, lam, mim, sad.[62]

Ky është një Libër që të është shpallur ty, andaj le të mos ketë shtrëngim në gjoksin tënd për shkak të tij, (meqë të është shpallur) që të paralajmërosh me të dhe si këshillë për besimtarët.

Sa shumë qytete Ne i kemi shkatërruar! Atyre u erdhi dënimi Ynë natën ose teksa ishin duke pushuar në mesditë.

Ne, patjetër, do t'i marrim në pyetje ata të cilëve u janë dërguar të dërguarit dhe sigurisht do t'i pyesim edhe vetë të dërguarit.

Pastaj Ne do t'ua paraqesim atyre çdo gjë (që kanë bërë) me dije (të plotë), sepse Ne nuk kemi qenë të papranishëm.

Peshimi në atë ditë do të jetë i drejtë. Ata, peshorja e të cilëve do të jetë e rëndë, mu ata janë të shpëtuarit.

Allahu tha: "Ç'të pengoi të bëje sexhde kur të urdhërova?" Ai tha: "Unë jam më i mirë se ai; mua më krijove prej zjarrit, kurse atë e krijove prej baltës."

Allahu tha: "Atëherë, zbrit që andej (nga Xheneti)! Ty nuk të takon të tregohesh mendjemadh në të. Dil, se ti je nga të poshtëruarit."

Ai tha: "Më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen (njerëzit)".

Allahu i tha: "Ti je nga ata që u është dhënë afat."

Madje ai iu betua atyre (duke thënë): "Njëmend, unë jam këshillues për ju!"

Ata thanë: "Zoti ynë, ne i kemi bërë padrejtësi vetes; nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi nga të humburit."

Allahu tha: "Zbritni! Ju do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të jetë vendbanimi dhe mjetet për jetesë deri në një kohë të caktuar.

Kur bëjnë ndonjë turpëri, thonë: "Ne i kemi gjetur baballarët tanë duke e bërë atë, por edhe Allahu na ka urdhëruar kështu." Thuaju: "Allahu nuk urdhëron kurrë të bëhen vepra të turpshme. Si thoni për Allahun diçka që nuk dini?"

Thuaj: "Zoti im ka urdhëruar drejtësi; drejtoni fytyrat tuaja (vetëm nga Ai) në çdo xhami; luteni Atë duke ia kushtuar adhurimin çiltërisht Atij. Ashtu siç ju krijoi në fillim, ashtu do të ringjalleni."

Allahu do të thotë: "Hyni në Zjarr me popujt e xhinëve dhe njerëzve që kanë qenë para jush." Sa herë që një popull hyn në të, do të mallkojë vëllezërit e vet (në besim). E, kur të tubohen të gjithë brenda, të fundmit do të thonë për të parët e tyre: "O Zoti ynë, këta na çuan në humbje, andaj jepu atyre një dënim të dyfishtë me Zjarr." Ai do të thotë: "Për secilin nga ju ka dënim të dyfishtë, por ju nuk e dini."

Për ta do të ketë shtretër (nga zjarri i) Xhehenemit dhe mbi ta do të ketë mbulesa zjarri. Kështu i ndëshkojmë zullumqarët.

Ne do të shkulim mërinë nga zemrat e tyre. Poshtë tyre do të rrjedhin lumenj e ata do të thonë: "Lavdërimi i takon Allahut që na udhëzoi për këtë, sepse ne nuk do të gjenim udhëzimin po të mos na përudhte Allahu. Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë na e sollën të vërtetën." Ata do të dëgjojnë thirrjen: "Ja, ky është Xheneti që ju e trashëguat për shkak të asaj që punuat."

Banorët e Xhenetit do t'u thërrasin banorëve të Zjarrit: "Ne e gjetëm të vërtetë atë që na e premtoi Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që jua premtoi Zoti juaj?" Ata do të thonë: "Po." Atëherë, një thirrës do të thërrasë midis tyre: "Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët,

të cilët penguan (njerëzit) nga rruga e Allahut, duke dashur ta shtrembëronin atë dhe që nuk besuan në botën tjetër!"

Midis tyre do të ketë një mur, ndërsa në lartësitë e tij do të ketë njerëz që do të njohin secilin grup nga tiparet e tyre. Ata do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: "Paqja qoftë mbi ju!" Ata nuk do të kenë hyrë ende në të, por do të shpresojnë.

Ne u kemi sjellë atyre një Libër (Kuranin), të cilin ua kemi shpjeguar hollësisht me dituri, si udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.

A mos vallë po presin përmbushjen e (paralajmërimit të) tij? Ditën kur do të përmbushet (paralajmërimi), ata që e shpërfillën më parë, do të thonë: "Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë paskan sjellë të vërtetën. Por a ka ndonjë ndërmjetësues që mund të ndërmjetësojë për ne? Ose, a mund të kthehemi mbrapsht që të veprojmë ndryshe nga ajo që kemi vepruar?" Me të vërtetë, ata do ta shkatërrojnë vetveten dhe do t'u humbasin ata (zotat e rremë) që kanë sajuar.

Ne e dërguam Nuhun te populli i tij e ai u tha: "O populli im! Adhuroni Allahun; nuk keni zot që meriton të adhurohet përveç Tij! Me të vërtetë, unë kam frikë për ju nga dënimi i një Dite të madhe."

A po çuditeni që ju erdhi këshillë nga Zoti juaj përmes një njeriu nga mesi juaj, që t'jua tërheqë vërejtjen, t'i frikësoheni Allahut dhe që të mëshiroheni?"

Te adët dërguam vëllanë e tyre, Hudin. Ai u tha: "O populli im, adhuroni Allahun; nuk keni zot që meriton të adhurohet përveç Tij. A nuk po i frikësoheni Atij?"

Ata thanë: "A mos na ke ardhur që ta adhurojmë vetëm Allahun e t'i lëmë ata që adhuronin baballarët tanë? Atëherë, na e sill atë me të cilën po na kërcënon, nëse je i çiltër."

Kurse te themudët dërguam vëllanë e tyre, Salihun. Ai u tha: "O populli im, adhuroni Allahun; nuk keni zot që meriton të adhurohet përveç Tij. Juve ju erdhi tashmë një dëshmi e qartë nga Zoti juaj: kjo është deveja e Allahut, si shenjë për ju. Pra, lëreni atë të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju kap një dënim i dhembshëm.

Pastaj i kapi një tërmet i rëndë dhe u gdhinë përmbys të pajetë në vendin e tyre.

Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, e cila ishte nga ata që mbetën pas.

Prandaj, ata i kapi një tërmet i rëndë dhe u gdhinë përmbys të pajetë në vendin e tyre.

Ata që e quajtën gënjeshtar Shuajbin u bënë sikurse të mos kishin jetuar kurrë në atë vend. Ata që e quajtën gënjeshtar Shuajbin, mu ata ishin të humburit.

Pastaj ua shndërruam fatkeqësinë në begati derisa u shtuan (fëmijët dhe pasuria e tyre) e thanë: "Edhe paraardhësit tanë janë goditur nga skamja e sëmundjet." Prandaj, Ne i dënuam ata befas, teksa ishin të shkujdesur.

A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve se nuk do t'u vijë dënimi Ynë natën derisa janë duke fjetur?!

Apo a janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve se nuk do t'u vijë dënimi Ynë paradite, kur janë duke u argëtuar?!

A ndihen të sigurt nga kurthi i Allahut?! Askush s'mund të ndihet i sigurt nga kurthi i Allahut, përveç njerëzve të humbur.

Kështu pra, doli në shesh e vërteta dhe u asgjësua ajo që bënë ata.

Musai i tha popullit të vet: "Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe bëni durim. Në të vërtetë, Toka është e Allahut e Ai ia jep si trashëgim atë kujt të dojë nga robërit e Tij, por fundi i mirë është për të devotshmit."

Ai tha: "E si të kërkoj për ju zot tjetër pos Allahut, kur Ai ju ka ngritur mbi të gjithë njerëzit (e kohës suaj)?!"

Allahu tha: "O Musa, unë të zgjodha ty mbi njerëzit e tjerë me shpalljet e Mia dhe të folurit Tim (të drejtpërdrejtë). Prandaj, merre atë që të kam dhënë dhe ji mirënjohës!"

Populli i Musait, në mungesë të tij, nisën të adhurojnë një trup viçi që bënë nga stolitë e tyre, i cili lëshonte një pëllitje. A nuk e shihnin se ai as u fliste e as i përudhte në rrugë të drejtë? Megjithatë, ata e morën atë për adhurim dhe u bënë zullumqarë.

Musai tha: "Zoti im, më fal mua e vëllanë tim dhe na fut në mëshirën Tënde, se Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve!"

E, sa për ata që bëjnë vepra të këqija e pastaj pendohen dhe besojnë, le ta dinë se pas kësaj Zoti yt është me të vërtetë Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Thuaj (o Muhamed): "O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës. Askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Tij. Ai jep jetë dhe vdekje." Pra, besoni Allahun e të Dërguarin e Tij, Pejgamberin që nuk di shkrim e lexim, i cili beson Allahun e fjalët e Tij dhe ndiqeni atë, që të jeni në rrugën e drejtë.

Në mesin e popullit të Musait ka njerëz që udhëzojnë të tjerët me të vërtetën dhe gjykojnë sipas saj.

Kur ata ngulën këmbë me mendjemadhësi që të bënin atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë: "Bëhuni majmunë të përbuzur!"

Dhe (kujto) kur Zoti yt shpalli se do të dërgojë kundër tyre ata që do t'i shkaktojnë mundime të tmerrshme deri në Ditën e Kijametit. Me të vërtetë, Zoti yt është i shpejtë në ndëshkim dhe është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Kujtoni kur e ngritëm malin mbi ta, sikur të ishte një re e errët, saqë menduan se do t'u binte përmbi dhe u thamë: "Mbajeni fort atë që jua dhamë (Teuratin) dhe kujtoni atë që përmban ai, në mënyrë që të bëheni të devotshëm."

Dhe (kujto) kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, duke u thënë: "A nuk jam unë Zoti juaj?" Ata thanë: "Po, pa dyshim, Ne dëshmojmë." (Këtë e bëri) që të mos thoni në Ditën e Kijametit: "Ne nuk e kemi ditur këtë."

Dhe prej atyre që Ne krijuam ka njerëz që udhëzojnë të tjerët me të vërtetën dhe gjykojnë sipas saj.

Kurse ata që përgënjeshtrojnë ajetet Tona, Ne do t'i çojmë dalëngadalë drejt shkatërrimit, pa e kuptuar ata.

Unë do t'u jap afat atyre. Me të vërtetë, kurthi Im është i fortë.

A nuk e kanë vrarë mendjen ata, që ta kuptojnë se shoku i tyre (Pejgamberi) nuk është i çmendur?! Ai është vetëm një paralajmërues i qartë.

Është Ai që ju krijoi prej një njeriu të vetëm, nga i cili krijoi bashkëshorten e tij, që të gjejë prehje tek ajo. Kur ai bashkohet me të, ajo bëhet me një barrë të lehtë, duke e mbajtur (për një kohë) me lehtësi. Pastaj, kur të rëndohet, ata të dy e lusin Allahun, Zotin e tyre: "Nëse na jep fëmijë të shëndoshë, me siguri do të jemi mirënjohës."

Por, kur Ai u jep atyre fëmijë të shëndoshë, ata i veshin Allahut ortakë në atë që u dhuron. I Lartësuar është Allahu mbi çdo gjë që i veshin ata.

Mos vallë, ia veshin Atij si ortakë ata që nuk mund të krijojnë asgjë, madje vetë janë të krijuar?!