The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThe Ascending stairways [Al-Maarij] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah The Ascending stairways [Al-Maarij] Ayah 44 Location Maccah Number 70
Dikush kërkoi një dënim të pashmangshëm
për jobesimtarët, të cilin s'mund ta ndalë askush.
Ai vjen nga Allahu, Zoti i lartësive.
Tek Ai ngjiten melekët dhe Shpirti (Xhibrili) në një Ditë që është sa pesëdhjetë mijë vjet.
Prandaj, bëj durim të hijshëm!
Në të vërtetë, ata e shohin atë (dënimin) larg,[147]
kurse Ne e shohim afër.
Ditën kur qielli të bëhet si bakër i shkrirë,
e malet të bëhen si lesh i shprishur
dhe kur asnjë mik s'do të pyesë për mikun e vet,
edhe pse do të shohin njëri-tjetrin. Keqbërësi, do të dëshironte të lirohej nga dënimi i asaj Dite, qoftë dhe duke flijuar bijtë e tij,
gruan e tij, vëllanë e tij,
farefisin, i cili e përkrahte
dhe të gjithë ata që janë në Tokë, vetëm që vetë të shpëtonte!
Por, jo! Ai është një Zjarr flakërues,
që shkul lëkurën e kokës.
Ai thërret atë që kthen shpinën e largohet (nga besimi),
atë që grumbullon pasuri dhe e ruan.
Me të vërtetë, njeriu është krijuar i papërmbajtshëm:
kur e godet ndonjë e keqe, ankohet tepër,
e, kur i vjen ndonjë e mirë, bëhet koprrac.
Përjashtim bëjnë ata që falen,
të cilët janë të qëndrueshëm në namazin e tyre
dhe në pasuritë e tyre ka hise të caktuar
për lypësin dhe të privuarin;
që e besojnë Ditën e Gjykimit;
që frikësohen nga dënimi i Zotit të tyre,
sepse nga dënimi i Zotit nuk është i sigurt askush;
që e ruajnë nderin e tyre,
përveçse ndaj grave të veta ose ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësi, – për këtë nuk qortohen, –
por kush kërkon përtej kësaj, mu ata janë të shfrenuarit;
si dhe që u përmbahen amaneteve e marrëveshjeve të tyre,
që dëshmojnë drejt
dhe që kujdesen rregullisht për namazet e tyre.
Këta do të jenë të nderuar në kopshte të Xhenetit.
Ç’është puna e jobesimtarëve që nxitojnë kundrejt teje
djathtas e majtas, të ndarë në grupe?!
A mos shpreson secili prej tyre se do të futet në Kopshtin e Lumturisë?!
Kurrsesi! Ne i kemi krijuar ata prej asaj që e dinë vetë.
Betohem në Zotin e lindjeve dhe perëndimeve, se Ne gjithsesi jemi të plotfuqishëm
t’i zëvendësojmë ata me të tjerë më të mirë se ata, dhe askush s'mund të na pengojë.
Prandaj, lëri ata të zhyten (në gjëra të kota) e të argëtohen derisa të ballafaqohen me Ditën që u premtohet.
Ditën kur do të dalin me nxitim nga varret, sikur të ishin duke nxituar drejt idhujve,
me sy të përulur që do t’i mbulojë turpi. Kjo është Dita që u ishte premtuar atyre.

