The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesNooh [Nooh] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah Nooh [Nooh] Ayah 28 Location Maccah Number 71
Ne e dërguam Nuhun te populli i tij (duke i thënë): "Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm!"
Ai tha: "O populli im! Vërtet, unë jam paralajmërues i qartë për ju:
adhurojeni Allahun, frikësojuni Atij dhe bindmuni mua,
që t'jua falë gjynahet tuaja dhe t'ju japë afat deri në një kohë të caktuar. E, kur të vijë afati i Allahut, nuk mund të shtyhet, veç sikur ta dinit!
Ai tha: "Zoti im, unë e thirra popullin tim natë e ditë,
por thirrja ime vetëm ua shtoi ikjen.
Madje, sa herë që i thirrja që Ti t’i falje, ata fusnin gishtat në veshë, mbuloheshin me rroba, ngulnin këmbë (në mosbesim) dhe silleshin me mendjemadhësi.
Pastaj, unë i thirra haptazi.
Më pas, i thirra edhe me zë të lartë, e edhe fshehurazi
e u thashë: "Kërkoni falje nga Zoti juaj, sepse Ai është shumë Falës,
që t'ju lëshojë shi me bollëk,
t'jua shtojë pasurinë e fëmijët dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!"
Ç'është puna juaj që nuk e madhëroni Allahun siç i takon,
ndërkohë që Ai ju ka krijuar në disa etapa?!
A nuk e shihni si i ka krijuar Allahu shtatë qiej, palë-palë
dhe në ta e ka bërë Hënën dritë, kurse Diellin kandil?
Allahu ju krijoi prej tokës,[148]
pastaj ju kthen në të dhe më pas ju nxjerr prej saj.
Allahu jua bëri Tokën të sheshtë,
që të mund të ecni nëpër rrugët e saj të gjera."
Nuhu tha: "Zoti im, ata më kundërshtuan dhe ndoqën ata, pasuria dhe fëmijët e të cilëve nuk u shtuan gjë tjetër atyre përveç humbjes.
Dhe kurdisën një kurth të madh
e thanë: 'Kurrsesi mos i lini zotat tuaj! Mos e lini as Vedin, as Suvain, as Jeguthin, as Jeukun e as Nesrin!'
Njëmend, ata çuan në humbje shumëkënd. Prandaj, të padrejtëve mos u shto gjë tjetër përveç humbjes!"
Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën e pastaj u hodhën në Zjarr dhe nuk gjetën askënd që t'i mbrojë prej Allahut.
Nuhu tha: "Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë banor jobesimtar,
sepse, po i le, ata do t'i çojnë në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm të shfrenuar e mohues.
Zoti im! Më fal mua, prindërit e mi dhe këdo që hyn në shtëpinë time si besimtar, si dhe gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa zullumqarëve shtoju vetëm shkatërrim!

