The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThe cloaked one [Al-Muddathir] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah The cloaked one [Al-Muddathir] Ayah 56 Location Maccah Number 74
O i mbështjellë!
Çohu e paralajmëro!
Zotin tënd madhëroje,
rrobat e tua pastroji,
larg idhujve qëndro,
mos jep me qëllimin që të të jepet më shumë
dhe për Zotin tënd duro,
se, kur t'i fryhet borisë,
ajo do të jetë një Ditë e vështirë,
për jobesimtarët aspak e lehtë.
Më lër Mua me atë që e krijova të vetëm
e i dhashë pasuri me bollëk
dhe fëmijë që i qëndrojnë pranë!
Ia bëra jetën të rehatshme,
e, megjithatë, ai lakmon t'ia shtoj.
Kurrsesi! Ai ishte kryeneç kundrejt ajeteve Tona,
prandaj Unë do ta mundoj atë me dënim të rëndë.
Ai mendoi e kurdisi.
Qoftë mallkuar, si kurdisi ashtu!
Sërish, qoftë mallkuar, si kurdisi ashtu!
Pastaj vështroi,
mandej u mrrol e u zymtua
e më pas ktheu shpinën e u soll me mendjemadhësi
dhe tha: "Kjo s'është gjë tjetër përveçse magji që trashëgohet!
Kjo është vetëm fjalë njeriu!"
Unë do ta hedh në një Zjarr flakërues (në Xhehenem)!
E ç'të bën ty të dish se ç'është Zjarri flakërues?!
Ai nuk lë gjë pa djegur,
ai përcëllon lëkurat.
Mbi të janë nëntëmbëdhjetë (melekë).
Ne i kemi bërë roja të Zjarrit vetëm melekët, kurse numrin e tyre e kemi bërë vetëm sprovë për jobesimtarët, si dhe që të binden ata të cilëve u është dhënë Libri e besimtarëve t’u shtohet imani. Po ashtu, që të mos kenë mëdyshje ata që u është dhënë Libri dhe besimtarët, ndërsa ata që kanë sëmundje (dyshim) në zemër dhe jobesimtarët të thonë: "Çfarë deshi të thotë Allahu me këtë shembull?" Kështu, Allahu lë në humbje kë të dojë dhe udhëzon kë të dojë. E ushtritë e Zotit tënd nuk i di askush përveç Tij. Kjo është vetëm këshillë për njerëzit.
Kurrsesi! Betohem në Hënën,
dhe në natën kur të tërhiqet,
si dhe në agimin kur zbardh,
se ai (Xhehenemi) është një nga belatë më të mëdha,
paralajmërim për njerëzit,
për këdo prej jush që dëshiron të përparojë ose të mbetet mbrapa.
Çdo njeri është peng i veprave të veta,
përveç të djathtëve,
të cilët, duke qenë në kopshte të Xhenetit, do të pyesin njëri-tjetrin
për keqbërësit:
"Çfarë ju solli në Zjarrin flakërues?"
Ata do të thonë: “Nuk ishim prej atyre që faleshin,
as i ushqenim të varfrit,
llomotisnim me ata që llomotisnin
dhe e përgënjeshtronim Ditën e Gjykimit
derisa na erdhi vdekja."
Prandaj, atyre nuk do t’u bëjë dobi ndërmjetësimi i atyre që ndërmjetësojnë.
Vallë, çfarë kanë që largohen nga kjo këshillë,
si të ishin gomarë të egër fort të trembur
që ikin prej luanit?!
Në të vërtetë, secili prej tyre dëshiron t’i sillen fletë të hapura (nga qielli).
Jo, por ata nuk i frikësohen jetës tjetër.
Në të vërtetë, ky (Kuran) është këshillë.
Kështu, kush të dojë, le të marrë mësim prej tij!
Por, ata mund të marrin mësim vetëm nëse do Allahu. Vetëm Ai është i denjë që t'i kihet frikë dhe vetëm Ai është i Denjë për të falur.

