The Noble Qur'an Encyclopedia
Towards providing reliable exegeses and translations of the meanings of the Noble Qur'an in the world languagesThe rising of the dead [Al-Qiyama] - Albanian Translation - Rowwad Translation Center (in progress)
Surah The rising of the dead [Al-Qiyama] Ayah 40 Location Maccah Number 75
Betohem në Ditën e Kiametit!
Betohem në shpirtin qortues!
A mendon njeriu se Ne nuk do t’ia mbledhim eshtrat?!
Po, sigurisht! Madje, Ne jemi të zotë t'ia ribëjmë në mënyrë të përkryer edhe majat e gishtërinjve.
Por, njeriu dëshiron të vazhdojë të bëjë gjynahe edhe më tej
dhe pyet: "Kur do të jetë Dita e Kiametit?"
Por, kur sytë të shtangen
e Hëna të shuhet,
dhe Dielli e Hëna të bashkohen,
atë Ditë njeriu do të thotë: "Ku të iki?!"
Kurrsesi! S’ka strehim!
Atë Ditë, te Zoti yt do të jetë caku.
Njeriut, atë Ditë, do t’i bëhet me dije çfarë ka bërë dhe çfarë ka lënë pa bërë.
Por, në të vërtetë, njeriu është dëshmitar kundër vetvetes,
edhe nëse i paraqet shfajësimet e veta.
Mos u ngut ta lexosh Kuranin me gjuhën tënde![151]
Është detyrë Jona ta mbledhim atë (në zemrën tënde) dhe të ta mundësojmë leximin e tij.
E, kur ta lexojmë atë, ndiqe leximin e tij!
Pastaj, është detyrë Jona shpjegimi i tij.
Jo, por ju e doni jetën kalimtare
dhe e lini pas dore jetën tjetër.
Atë Ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë,
duke e shikuar Zotin e tyre.
E disa fytyra, atë Ditë, do të jenë të zymta,
duke pritur t'i godasë një fatkeqësi që të thyen në kurriz.
Por, kur të arrijë shpirti në grykë
e të thuhet: "Kush mund ta shërojë?",
dhe ai ta kuptojë se kjo është ndarja (nga kjo jetë),
e të puqet këmba me këmbën
atë Ditë, te Zoti yt do të jetë kthimi.
Ai as besoi e as u fal,
por, përkundrazi, përgënjeshtroi dhe ktheu shpinën,
pastaj shkoi te familja e vet, duke u krekosur.
Mjerë ti, mjerë!
Edhe një herë: mjerë ti, mjerë!
A thua mendon njeriu se do të lihet pa përgjegjësi?!
A nuk ka qenë ai një pikël që hidhet,
pastaj u bë mpiksje gjaku e më pas Allahu e krijoi dhe e përsosi
dhe prej saj bëri çiftet: mashkullin dhe femrën?!
Vallë, a nuk ka fuqi ky Zot të ringjallë të vdekurit?!

